
Eralbi Breçani, djali i ish nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i cili ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për çështje të lidhura me trafikun e narkotikëve, është vetëdorëzuar në Spanjë.
Eraldi Breçani ka deklaruar se do të përballet me drejtësinë në Shqipëri dhe pritet të ekstradohet drejt vendit tonë.
Eralbi Breçani akuzohet se ka kryer veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, dhe veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim me të pandehurin Erzen Breçani.
Sipas SPAK, Eralbi Breçani së bashku me Ergys Dashin dhe disa persona të tjerë, për të cilët hetimet vijojnë, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në formën e një grupi të strukturuar kriminal për trafikimin e 446 kg kokaine nga Amerika e Jugut drejt Holandës.
Më datë 05.01.2021 u bë e mundur sekuestrimi i kësaj ngarkese, si dhe arrestimi i një shtetasi holandez.
Ndërkohë, në kërkim vijon të jetë kreu i grupit, Ervin Mata, i cili është edhe kunati i Eralbi Breçanit.