Argita Malltezi dhe kreu i Dhomës së Avokatisë, Fatmir Braka kanë vizituar tek spitali i Traumës avokatin, Sokol Mëngjesi.
Vajza e ish kryeministrit Berisha për Tch: Avokati u sulmua për shkak të detyrës, kush e njeh Sokolin e di sa njeri korrekt është. Nuk ka asnjë konflikt tjetër. Ai është në reanimacion nuk e takova dot por fola me familjarë dhe mjekë. Duhet të presim për të parë gjendjen e tij.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur mëngjesin e sotëm në orën 08:50 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Autorët, që paraprakisht dyshohet se ishin tre, e qëlluan 34-vjeçarin me dorezë metalike në kokë.
Policia bën me dije se avokati Sokol Mëngjesi është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjithçka ndodhi pasi Sokol Mëngjesi, ashtu si për çdo ditë çonte djalin e tij në kopsht. Tre persona, të cilët ka dyshime se kishin planifikuar gjithçka, pasi prej ditësh mendohet se ndiqnin avokatin, i kanë zënë këtij të fundit dhe e kanë dhunuar. Kjo gjë është faktuar dhe nga kamerat e sigurisë të zonës që duket se kanë filmuar gjithçka.
Çfarë njofton policia?
Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Bëhet me dije se avokati ka pësuar dy fraktura, dëmtime te zona e ballit dhe pas koke dhe nga këto goditje Sokol Mëngjesi ka pësuar dëmtime në pjesën e trurit dhe hemorragji të vogël.
Dyshohet se autorët e kanë goditur me dorezë hekuri ndërsa policia ka marrë në pyetje të gjithë qytetarët që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes.