Janë zbardhur detaje të reja nga aksidenti i regjistruar mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Tepelenë-Mallakastër, në fshatin Malas, ku mbetën 8 të plagosur nga përplasja e dy mjeteve dhe dy prej tyre ishin fëmijë.
Burime bëjnë me dije se dy prej të plagosurve janë dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe një prej tyre është shtetase italiane.
Mësohet se shtetasja italiane ndodhet në reanimacin, ndërsa i plagosuri tjetër në observacion.
Mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:15, shtetasi E. Gj., 36 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “Benz” është përplasur me automjetin tip “Renault” me drejtues shtetasin D. L., 32 vjeç.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve dhe gjashtë pasagjerët, A. Gj., 25 vjeçe, A. Gj., 23 vjeçe, dy fëmijë të mitur 2 vjeç dhe 3 vjeç (pasagjerët e automjetit tip “Benz”); K. M., 30 vjeçe, C. R., 31 vjeç, (pasagjerët e automjetit tip “Renault”).
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.