Detaje nga urdhërarresti i SPAK për Vangjush Dakon, hetimi kishte nisur prej një viti

6 June 2023, 17:56Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Detaje nga urdhërarresti i SPAK për Vangjush Dakon, hetimi kishte
Vangjush Dako

Prokuroria e Posaçme ka firmosur urdhërarrest për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako dhe disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit. Ish-zyrtarët akuzohen për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh.

Mësohet se Dako akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me një pallat të ndërtuar në qendër të qytetit të Durrësit, godinë e cila pësoi dëme të mëdha nga tërmeti i 2019-ës.

Sipas hetimeve të SPAK, pallati ka pësuar dëmtime të rënda në tërmetin e 26 nëntorit, dhe banorët kanë bërë kallëzim për Dakon dhe ish-zyrtarë të tjerë për vrasje masive të mbetur në tentativë.

Hetimi i SPAK për Dakon është shtrirë edhe në verifikimin e pasurisë duke kërkuar verifikime nga institucione të ndryshme.

Burime bëjnë me dije se janë lëshuar 10 masa arresti, 7 arrest me burg, përfshi edhe Vangjush Dakon, e 3 arrest shtëpie, për tri zonja.

Urdhër arresti ndaj Vangjush Dakos, është firmosur rreth orës 15:00 nga Gjykata e Posaçme. Kërkesa e prokurorit Sotir Kllapi është pranuar nga gjykata për Dakon, 8 ish-zyrtarë dhe një biznesmen. Sipas të dhënave bëhet fjalë për një hetim të nisur rreth 1 vit më parë për një procedurë prokurimi si dhe dhënien e lejes së një pallati.

Ndërkohë hyrja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës është mbuluar pasi pritet shoqërimi i Dakos dhe në këtë mënyrë arrestimi i tij nuk do të filmohet dot nga kamerat.


Vangjush Dako e drejtoi Bashkinë e Durrësit për 3 mandate deri në vitin 2019. Po në vitin 2019, Dako dhe familjarët e tij iu shtuan listës së zyrtarëve shqiptarë që nuk lejohen të hyjnë në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

DASH njoftoi asokohe se Sekretari i Shtetit e vendosi kryebashkiakun e Durrësit dhe familjarët e tij të afërt në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, për shkak të përfshirjes së Dakos në raste të mëdha korrupsioni.

Emri i Dakos është lakuar edhe në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild” si i përshirë në blerjen e votave në Durrës. Edhe për këtë çështje ai u mor në pyetje asokohe nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.


Video