Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite burg ish-drejtorin e burgut të Lushnjës, Judmir Shurdhi, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të qendrojë pas hekurave, vetëm 1 vit e 4 muaj. Gjithashtu atij i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vitesh.
Shurdha së bashku me 5 punonjës të tjerë, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Gjykata pranoi akuzat e SPAK se Shurdhi ka kryer shkelje në procedurat e tenderave publikë.
Në dhjetor të vitit të shkuar, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen kundër ish-drejtorit të burgut të Lushnjes dhe pesë personave të tjerë, zyrtarë të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.
SPAK deklaroi në atë kohë se nga hetimet ka rezultuar se Judmir Shurdhi, i cili ishte drejtor në vitin 2020 kur u zbulua shkelja, ka shpërdoruar detyrën lidhur me zhvillimin e tenderit për transportin e punonjësve pasi ka ngarkuar të njëjtët persona të jenë në cilësinë e anëtarit të Njësisë së prokurimit dhe Komisionit të vlerësimit të ofertave, ka miratuar shkeljet ligjore të kryera prej tyre, si në vitin 2018 ashtu edhe në vitin 2019, si dhe ka ushtruar presion për kualifikimin e një operatori që mori pjesë në garë.
Të akuzuarit e tjerë që janë dënuar:
Krenar Islam Gozhina për kryerjen e veprës penale të “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, 1 vit burgim, i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vitesh.
Erion Behar Çela për kryerjen e veprës penale të “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, 6 muaj burgim, i pezulluar, i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vitesh.
Miranda Xhevahir Idrizi për kryerjen e veprës penale të “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, 6 muaj burgim, i pezulluar, i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 vitesh.
Xhejsika Gëzim Kaja për kryerjen e veprës penale të “Moskallëzim i krimit”, 6 muaj burgim, i pezulluar.