Kreu i Autoriteti të Konkurrencës, Denar Biba ka raportuar pothuajse për 4 orë në Komisionin e Ekonomisë.
Përpara deputetëve, Biba kërkoi më shumë hapësira ligjore për të kryer hetime në disa tregje sensitive, pasi verifikimi i të dhënave për të faktuar se ka abuzime, në shumicën e rasteve është i pamundur, dhe si rezultat edhe masa apo ndëshkime nuk ka.
Kështu, në një tentativë për të justifikuar rezultatet e Autoritetit, Biba deklaroi me një seriozitet të admirueshëm se “homologët tanë ju marrin celularët”, dhe se, edhe ai do të donte t’i kishte këto “hapësira ligjore”, për të hetuar më mirë tregjet problematike.
E meqë “celulari është tradhtari më i madh”, sipas tij, ndoshta në emër të konkurrencës së ndershme do të na duhej t’i dorëzonim telefonat bashkë me kodin PIN... për çdo rast.
“Homologët tanë ju marrin celularët. Ky (celulari) është tradhtari më i madh për çdo lloj gjëje. Nëse do realisht të bësh punë skrupuloze hetimore, kjo është. Edhe ata zotërinjtë e SPAK-ut apo të prokurorisë në Shqipëri shumicën e sukseseve të tyre e kanë pasur nga sky nga Encrochat. Ne nuk e kemi këtë mundësi. Polakët e kanë, turqit e kanë, italianët, gjermane, të gjithë vendet e BE-së i kanë”, tha Denar Biba.
Megjithatë, ideja që një institucion administrativ kërkon akses në telefonat privatë të subjekteve që monitoron, ngre më shumë pyetje sesa përgjigje.
Biba harron që Autoriteti i Konkurrencës nuk është as prokurori, as polici, as agjenci inteligjente. Hetimet që ky institucion kryen mbeten në kuadër dhe në kufijtë e kompetencave të këtij institucioni.
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Kodit të Procedurës Penale, ndërhyrja në komunikimet elektronike lejohet vetëm nga organet e ndjekjes penale, me autorizim të gjykatës, në raste hetimesh për vepra penale, jo për analiza tregu apo çmime qumështi.
Asnjë rregullore e BE-së apo direktivë e saj nuk lejon mbledhjen e të dhënave private pa autorizim gjyqësor.
Në vend që të kërkojë më shumë kompetenca për të hyjë në celularët e kompanive, ndoshta Autoriteti i Konkurrencës duhet të përmirësojë mënyrën se si i mbledh provat, si i monitoron çmimet, ndëshkon subjektet dhe parandalon abuzimet që çdo qytetar i ndjen në faturën e përditshme./VoxNews