Kryeministri Edi Rama prezantoi tre ditë më parë projektin e pistës së Formula 1, e cila do të ndërtohet në kompleksin sportiv ndërkombëtar “Elbasan-Automotoparku”.
Sipas tij, ky investim do të sjellë jo vetëm gara me makina, por një destinacion të ri që do të jetë aktiv gjatë gjithë vitit.
Sipas kryeministrit, pista e Elbasanit do të sjellë inovacione të sugjeruara nga ekspertët e Formula 1 dhe do të përmbushë standardet ndërkombëtare. Përveç garave, ajo do të shërbejë si një qendër për testime dhe edukim mbi sigurinë rrugore, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Pamjet nga cirkuita i ka publikuar edhe gazetari Bledi Mane, i cili thotë se tashmë "manjakët e shpejtësisë" do të mund të shfryjnë lirshëm dufet.
"Cirkuita ndërkombëtare e garave me makina Formula 1 fillon të ndërtohet shumë shpejt.
Veç garave ndërkombëtate, çdo ditë në këtë pistë ju të apasionuarit e makinave dhe manjakët e shpejtësisë do të mund të shfryni lirshëm dufet tuaja dhe të silleni si njerëz në rrugët tona.
Shkoni në Elbasan dhe ngiteni makinën me sa mundeni dhe rrugëve të Shqipërisë silluni si njerëz duke shpëtuar kështu jetën tuaja dhe jetët e të tjerëve", shkruan Mane.