Seanca për ish-kryeministrin Sali Berisha do të mbahet ditën e nesërme në Gjykatën e Posaçme.
Seanca është daktuar të mbahet në orën 14:00 të ditës së nesërme, teksa ndaj tij është dhënë masa “detyrim paraqitje” dhe ndalim i udhëtimit jashtë vendit, për shkak se akuzohet për korrupsion pasiv në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani në Tiranë, në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Ndaj këtij të fundit si dhe biznesmenit Fatmir Bektashi, seanca për masat është duke vijuar në GJKKO.
Berisha pritet të merret nesër në pyetje lidhur me dosjen “Partizani”, megjithatë mbetet e paqartë nëse ai do të shkojë vetë apo do të shoqërohet pasi dy herë ka refuzuar të njihet me masën ndaj tij duke pretenduar se e mbron imuniteti si deputet i Kuvendit.