Deputeti i PS Erion Braçe foli në emisionin “Arnautistan” për kartele që diktojnë çmimet në bujqësi. Braçe tha se ka një informalitet katastrofik në sistemin e përpunimit në bujqësi.
“Për këto gjëra flitet kudo, në ambientet tona të partisë, qoftë sy më sy me kryeministrin dhe ministrat, apo në publik siç ndodhi në Parlament. Kërkoj që institucionet të lëviz, por askush që s’lëviz. Këta që janë në tregun e inputeve bujqësore nuk kanë lidhje me qeverinë, kanë lidhje me politikën. Janë favorizuar këta që fitojnë shumë para, në kurriz të bujkut. Ky që zotëron 60 për qind të tregut deklaron një xhiro që shkon në 60 milionë euro në vit. Ai tjetri deklaron një xhiro më të vogël. Duopol. Këta nuk shesin vetëm me pakicë. Diktojnë edhe çmimet e 9 të tjerëve që kanë krijuar një shoqatë që funksionon si kartel, që përcakton çmimet. Mjafton të marrësh një deklaratë doganore, me sa ka ardhur çmimi i uresë dhe sa del nga dogana. Nuk mund të fitosh 40 mijë lekë në 1 kuintal pleh. Tani e kuptoj, por para lufte. Përtej faktit që s’ka konkurrencë, ka edhe abuzim. Mungesa e reagimit të acaron, të duket vetja i pavlerë. Ka një informalitet katastrofik në sistemin e përpunimit në bujqësi. Rrejti i grumbulluesve që funksionon si kartel përcakton çmimin. Ajo që më tmerron është që po emigrojnë edhe njerëz që janë mirë, që kanë ekonomi, 6-7 dynym serë. Ka vajtur 800 lekë të reja dengu me jonxhë”.
Deputeti socialist theksoi se sot të mbjellësh grurë del me humbje.
“Jam munduar t’ia shpjegoj edhe ministres që sot gruri sot është çështje e sigurisë kombëtare. Grurin sot e kemi në parcela”.
Në fund të intervistës së tij Braçe foli mbi diskutimet në Parlament duke u shprehur: “Ministria ndërtoi një fjali afirmative që më lëndoi, tha që s’është e lehtë të çosh para te bujku, pse nuk është e lehtë. Pse te të tjerët qenka e lehtë dhe te të tjerët e vështirë”.
Braçe deklaroi se punët në bujqësi nuk janë mirë, duke theksuar se ndërsa ekonomia po merr goditje nga lufta, duhet të mbështetet prodhimi vendas.
“Në bujqësi natyrisht që s’janë punët mirë dhe në një moment të tillë kur ekonomia ka marrë goditje nga lufta në Ukrainë duhet të ishim mbështetur në prodhimin vendas. Bujqësia është një ndërmarrje pa çati, ka shumë lodhje, mund, sakrifica. Ka edhe humbje gjatë ditës. Ka edhe baltë bujqësia, një pjesë njerëzish s’janë mësuar të bëhen pis, u bëhet pis Bently, Ferrari”.
Braçe tha se bujqësia po humbet krahun e ri të punës, pasi pagesat janë të pakta, ndërsa theksoi problematikën që tregu është i pafiskalizuar.
“Është një vuajtje ku brezi i ri, ka parë si ka vuajtur stërgjyshi, gjyshi, gjyshja, dhe tani po e humbim këtë krah pune. Ata të rinj mund ta duan atë punë por s’duan vuajtjen e asaj pune, apo pagesat që janë shumë pak, qoftë krahasuar me një punë tre mujore në Greqi. Krahu i ri i punës po na humb për pak lekë. Duhen shumë më tepër para në bujqësi. Pagesa të drejtpërdrejta për bujkun. Sepse vjen një moment që ai s’ka para. Kur vete atje s’të pyet më njeri si është partia, ata njerëz janë në kushtet e mbijetesës dhe kushtet për të mbajtur fëmijët aty. Një serë në 12 dynim është më i madh se ato klubet e bllokut. Ka një gap (hendek) shumë të madh mes prodhimit dhe shitjesh. Vjen momenti që bujku s’merr as 40 lekë për kg. I gjithë tregu është i pafiskalizuar. Nga Lushnja deri te dyqanet s’ka një faturë të vetme”.