"Bosët" shqiptarë mbushën Finlandën me drogë, Vox News zbulon provat që prokurorët finlandezë i sollën SPAK-ut (Pamjet nga laboratorët)

4 June 2025, 10:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Bosët" shqiptarë mbushën Finlandën me drogë,
Materiale të sekuestruara

SPAK njoftoi dje përfundimin e një operacioni të gjerë antidrogë të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet finlandeze, që çoi në shkatërrimin e një rrjeti të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Trafiku i drogës drejtohej nga katër grupe kriminale me bazë në Shqipëri, të cilat kishin ngritur një skemë të sofistikuar bashkëpunimi mes tyre për të trafikuar lëndë narkotike, kryesisht substanca sintetike, nga Spanja dhe Holanda drejt Finlandës.

Operacioni i ndërmarrë mëngjesin e së martës nga SPAK, në bashkëpunim me autoritetet finlandeze çoi në arrestimin e 9 personave në territorin shqiptar. Dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në Finlandë, hetimet kanë çuar më herët në dënimin e 55 personave të përfshirë në këtë rrjet kriminal, ku 10 janë shqiptarë dhe pjesa tjetër shtetas finlandezë, polakë, rumunë, aziatikë dhe afrikanë.

Gjatë hetimit janë sekuestruar rreth 300 kilogramë drogë, përfshirë 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe 100 kg kanabis. Operacioni ka rezultuar gjithashtu në sekuestrimin e 8 automjeteve, telefonave celularë dhe një sërë dokumentesh në gjuhën finlandeze, që përmbajnë të dhëna të rëndësishme mbi aktivitetin kriminal, qarkullimin e parave dhe rrugët e trafikimit.

Në një konferencë për mediat, përfaqësuesi i autoriteteve finlandeze, Hans Fagerstrom, deklaroi se janë dokumentuar katër raste të mëdha trafiku droge në territorin finlandez. Ai sqaroi se rrjetet kriminale përdornin platforma të sigurta komunikimi si Telegram, Signal dhe WhatsApp për të koordinuar aktivitetet, ndërsa për transfertat financiare shfrytëzonin shërbime të transferimit të parave drejt Shqipërisë.

Vox News ka mësuar sot se clat ishin materialet që Finlanda i solli SPAK-ut për dokumentimin e aktivitetit kriminal (SHIHNI GALERINE E FOTOVE)

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video