
Alqi Bllako ka dorëzuar sot mandatin e deputetit pasi Prokuroria e Posaçme ka kërkuar arrestimin e tij.
Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja lidhur me këtë çështje tha: “Do presim njoftimin zyrtar nga Kuvendi më pas do veprojmë”.
Bllako nuk është paraqitur fizikisht në ambientet e Kuvendit dhe letrën e ka dorëzuar me postë.
Menjëherë pas dorëzimit të letrës, Kuvendi njoftoi se u anulua mbledhja e komisionit të mandateve.
Njoftimi i Kuvendit
Në mbështetje të Urdhërit nr. 24, datë 30.03.2022, të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla “Për anullimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”, mbledhja e Këshillit nuk do të zhvillohet.
Deputeti Alqi Bllako ka depozituar në Kuvend deklaratën për heqjen dore nga mandati i deputetit me vullnet të dhe për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako.
Faleminderit!
Në letrën e dorëheqjes, Alqi Bllako shkruan se do të vendoset në dispozicion të plotë të drejtësisë lidhur me hetimin që është hapur ndaj tij për çështjen e inceneratorëve.
Të nderuar Kolegë,
Unë i nënshkruan Algi Edmond Bllako, datëlindja 10.05.1987, vendlindja Ersekë; me anë të kësaj shkrese ju bëj me dijeni se me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Tiranë, referuar kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.2022 dhe urdhërit të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë më datë 29.03.2022 për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet më datë 30.03.2022 ora 18:00.
Me bindjen e plotë se në fund të këtij procesi do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar, me këtë akt personal vihem në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke gjykuar t’i hap rrugën e pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë.