Blendi Fevziu ka treguar sonte në emisionin "Të Paekspozuarit" një nga momentet më të vështira të jetës së tij, që i ka ndodhur kur ka qenë 11 vjeç.
Ylli Rakipi: A ka kaluar Fevziu momente të vështira?
Blendi Fevziu: Mbaj mend një moment. Duhet të kem qenë 11 vjeç. Im atë më tha do të dalim pak bashkë. Kur të thotë babai hajde dalim, prindërit atëherë ishin shumë të rëndë. Po ecnim në një rrugë të errët dhe kisha idenë do të përfundonim te akulloret. Ai më tha, do të them një gjë, me ton serioz. Më tha, ka mundësi të më arrestojnë, mund të kem probleme, kanë arrestuar një mikun tim. Ti duhet të kujdesesh për mamin dhe për motrën. Motra ishte katër vjeç.
Unë në atë moment, befas, e mora me dramacitet të madh, me idenë mua do të më ngelet shtëpia. Mendova, duhet të mendoj për shtëpinë, si do të zgjidhja unë problemin. Mu duk si përgjegjësi. Kur e mendoj sot, ti them unë vajzës ti do të kesh shtëpinë… Sot një njeri nuk e kupton dot.
Në atë moment, e harrova akulloren, u ktheva në shtëpi dhe doja të takoja një shok t'ia thosha atij, se si duhet zgjidhur kjo. Nuk e arrestuan dhe nuk mu desh ta kisha këtë barrë. Por shumë herë në jetën time jam detyruar të marr vendime sepse jetoja larg prindërve dhe duhet të merrja vendime që nuk kisha kohë.
E vetmja mënyrë për të marrë vendime ishte instinkti. Gjithmonë kam menduar që nuk duhet të jesh proteksionist me fëmijët sepse i bën të pazotë.