BE pezulloi fondet e bujqësisë për Shqipërinë/ KE për VoxNews: Po hetojmë, ku shkuan miliona EURO?

19 July 2023, 14:15Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

BE pezulloi fondet e bujqësisë për Shqipërinë/ KE

Hetimi për korrupsion me fondet e fermerëve, BE pezullon fondet për Shqipërinë

Bashkimi Europian ka pezulluar fondet për bujqësinë nga programi i financimit IPARD II pas hetimeve të zyrës antikorrupsion të unionit, që ka ngritur dyshime mbi financime të projekteve fiktive dhe që nuk ekzistojnë.

Voxnews.al iu drejtua Komisionit Europian me një kërkesë për informacion përmes postës elektronike.

Në përgjigjen e kthyer, KE thotë se pezullimi i financimit të projekteve është masë parandaluese deri në përfundim të hetimit të OLAF, zyra europiane antikorrupsion.

“Në këtë fazë, Komisioni Europian ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin paraprak të dhënë nga OLAF. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”, thuhet në përgjigjen e KE.

Sipas procedurave të BE-së, kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Europian do të informojë autoritetet shqiptare, ndoshta duke anuluar plotësisht financimin dhe të kërkojë rikthimin e parave që janë dhënë për projektet që provohen korruptive, si masë për mbrojtjen e interesave financiare të taksapaguesve europianë.

Hetimi i zyrës europiane kundër mashtrimit nisi në vitin 2019. Në vitin 2021, hetuesit e OLAF mësynë në zyrat e Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural në Tiranë, ku morën kompjutera dhe dokumente zyrtare.

BE pezulloi fondet e bujqësisë për Shqipërinë/ KE

Hetuesit kanë marrë kopje të komunikimeve të zyrtarëve përmes postave elektronike zyrtare, ndërsa pjesë e dosjes dyshohet se janë bërë edhe komunikimet e tyre përmes postës personale.

Për këtë, Voxnews.al mëson se një dorë të mirë hetuesve të BE-së mund t’u kenë ofruar hakerat iranianë përmes publikimit të materialeve të përfituara gjatë sulmit ndaj sistemeve elektronike shqiptare.

Bashkimi Europian mbështeti Shqipërinë me mbi 600 milionë euro nga viti 2014 deri në vitin 2020 në kuadër të programit IPARD 2.

Hetimet për shpërdorimin e këtij fondi, mund të ccojnë në bllokimin e financimit në kuadër të IPARD 3, ku vetëm për këtë vit Shqipëria ka përfituar 112 milionë euro mbështetje nga BE për fermerët.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video