“Basha nuk mendoi se ‘Toyota Auris’ do hetohej nga belgët. Do të ketë veprime të tjera për të”

14 February 2022, 21:49Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Basha nuk mendoi se ‘Toyota Auris’ do hetohej nga

Gazetari Artan Hoxha tha se Lulzim Basha nuk ka menduar se çështja e “Toyota Auris” do të shkonte në hetim të autoriteteve belge.

“Ai e çoi akuzën drejt një grupi, i cili nuk ka lidhje fare me paratë që po vinin. Pra ai e çoi diku ku ngjarjet po zhvilloheshin politikisht. E çoi në Elbasan që ta lidhte me Ballën, dhe nëpërmjet Ballës ta lidhte me qeverinë”, tha Hoxha në Euronews Albania, duke iu referuar fjalimit të Lulzim Bashës në Kuvend.

Ai shtoi se ajo që bëri Basha do të kishte vlerë “nëse nuk do të kapej ngarkesa”.

Hoxha tha se Basha e keqpërdori situatën, porse “nuk e ka vrarë mendjen”.

“Duke pasur parasysh se si funksionon Basha edhe për ngjarjet tjera, gabimi i tij është se nuk ka menduar që kjo çështje mund të përfundonte në hetim të autoriteteve belge. Basha ka kujtuar se është si këto historitë në Shqipëri që mbyllen këtu”, u shpreh Hoxha.

Ai shtoi se fakti që po këmbëngulin tek Basha do të thotë “se ka një çështje sensitive që i shqetëson prokurorët”.

Ndërsa gazetarja Anduena Llabani tha prokurorët belgë do të kryejnë veprime për Lultim Bashës në kuadër të hetimit për çështjen ‘Toyota Auris’.

“Do të kemi një hetim jo vetëm për subjekte që janë hetuar e hetohen në Belgjikë për llogari të Belgjikës që janë me vendqëndrim në Shqipëri, por do të kryhen veprime edhe për z. Basha”, tha Llabani.

Gazetarja tha se prokurorët belgë do të vijnë sërish në Shqipëri, pasi i kanë hapur hetimet dhe kanë kërkuar nga prokuroria bashkëpunim të ndërsjellë për hyrjen e 3.4 milionë euro në Shqipëri.

Belgët po hetojnë çështjen “Toyota Auris”, ku në qershor të 2018 u sekuestruan 3,4 milionë euro të fshehura në automjete në portin e Durrësit.

Në atë kohë Basha akuzoi Taulant Ballën në parlament se ishte pronar i parave të drogës në makinat ‘Toyota’.


Video