Babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinaj është paraqitur sërish mëngjesin e kësaj të enjte pranë ambienteve të GJKKO-së.
Mustafa Martinaj kërkon drejtësi për djalin e tij Ervis Martinaj, i cili prej gushtit të vitit 2022 ka shkëputur kontaktet me familjarët dhe është shpallur person i zhdukur.
Për herë të tretë, Mustafa Martinaj u paraqit në Gjykatën e Posaçme në procesin që po zhvillohet ndaj djalit të tij, lidhur me kërkesën e SPAK për konfiskimin e disa pasurive që sipas organit të akuzës, nuk justifikohen nga burime të ligjshme.
Kujtojmë se më herët, në prononcime për mediat, Mustafa Martinaj është shprehur se në Prokurorinë e Kurbinit ka dorëzuar koordinata të sakta dhe emra konkretë personash që sipas tij mund të jenë të përfshirë në zhdukjen e Ervis Martinajt, por pavarësisht kësaj nuk është ndërmarrë asnjë veprim hetimor dhe çështja është lënë në harresë.
Sipas tij, drejtues të policisë kriminale ndër vite kanë qenë të interesuar që ngjarja të mos zbardhej.
Martinaj ka deklaruar gjithashtu se të gjitha informacionet ia ka vënë në dispozicion edhe Prokurorisë së Posaçme, por që prej asaj kohe sipas tij askush nuk është interesuar më për ecurinë e hetimeve.