Pamje të rënda janë publikuar nga ngjarja e regjistruar këtë paradite në kryeqytet, ku në afërsi të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë një grua, identiteti i së cilës ende nuk dihet, është përplasur për vdekje.
Sipas informacioneve paraprake, autoboti me ujë goditi gruan, e cila po lëviste me një motor të vogël elektrik.
Përplasja rezultoi fatale, pasi viktima nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Pamjet nga vendi i aksidentit janë tronditëse, trupi i pajetë i gruas shihet i shtrirë në tokë, ndërsa pranë saj ndodhet edhe mjeti i saj elektrik, i dëmtuar nga përplasja.
View this post on Instagram
Zona është rrethuar menjëherë nga forcat e policisë, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet e urgjencës.
Në momentet pas aksidentit kanë mbërritur edhe familjarët e viktimës.
Bashkëshorti i saj është parë në gjendje të rënduar emocionale, teksa ka shpërthyer në lot pranë vendit ku humbi jetën shoqja e tij e jetës.