Vrasja e Klinsman Preçit vetëm pak ditë pas vrasjes së trefishtë në Fushë Krujë është vrasja e radhës e atentateve ndaj shokëve të Ervis Martinajt. Në fakt, Preçi nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe ishte një viktimë e rastësishme.
Objektiv i atentatit ishte Ylli Ibrahimi, një ndër shokët e Ervis Martinajt dhe autorët kanë qëlluar pikërisht ndaj vendit të shoferit të makinës së blinduar Toyota Land Cruiser duke menduar se aty ishte Ibrahimi.
Sipas gazetarit Artan Hoxha, autorët kanë lëshuar 120 predha në drejtim të makinës së blinduar duke menduar se i vranë, por Ibrahimi shpëtoi.
“Momenti tragjik është kur babai i Klinsman Preçit shkoi për t’i dhënë ndihmë viktimave dhe nuk e dinte që në vendin e shoferit ishte pikërisht djali i tij.
Kur u dëgjuan krismat, ai ishte shumë pranë dhe shkoi për ndihmë në krahun e Ylli Ibrahimit dhe pastaj gjeti të birin e tij në vendin e shoferit”, tha Hoxha duke shtuar se skuadra e qitësve profesionistë e kishte studiuar mirë terrenin për të realizuar vrasjen.