Artan Hoxha për atentatin në Don Bosko: Akt terrorist, synuan tronditjen e opinionit publik

13 March 2023, 23:44Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Artan Hoxha për atentatin në Don Bosko: Akt terrorist, synuan
Artan Hoxha dhe Mimoza Paja (viktima)

Artan Hoxha ka folur për atentatin në Don Bosko, ku mbeti e vrarë 60 vjeçarja, Mimoza Paja, dhe u plagosën gjashtë persona.

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", Hoxha tha se ngjarja është një akt terrorist, sepse synon përhapjen e panikut dhe tronditjen e opinionit publik.

"Një ngjarje e tillë ku është hapur zjarr, në mënyrë jo selektive, aty mund të ishin të gjithë të vrarë. Lokali e ka fasadën krejt të zbuluar dhe është hapur zjarr pa patur asnjë kujdes nga autorët.

Ka gjetur vdekjen banakjerja, që punonte dy turne. Është dëmtuar, por për fat ka shpëtuar mbesa e saj, të cilën e mbante me vete sepse nuk kishte njeri në shtëpi për ta mbajtur. Është vrarë gjyshja dhe është plagosur mbesa.

Ky atentat do të ndodhte edhe sikur objektivi të ishte në burg, sepse zinxhiri i ngjarjeve nuk është këputur nga autoritetet. Dhe do të ndodhë edhe tjetra.

Gjatë këtyre ngjarjeve, me një konflikt të dukshëm, deri në korrik që ka qenë flakë. Atentate ku bllokoheshin rrugën nacionale.

Kjo ngjarje, sigurisht është më tepër se një atentat. Duket në përmasat e një akti terrorist, sepse në këto akte nuk do të dish kush është brenda. Synimi është të shkaktosh panik dhe të trondisësh opinionin publik.

Fakti që autorët hynë, goditën me dy armë, janë larguar drejt Vorës, janë kthyer dhe kanë marrë drejtim në Fushë Krujë, pa vajtur te mbikalimi janë kthyer dhe kanë djegur makinën. Automjeti i përdorur, është automjet i grabitur në Durrës para dy vitesh.

Në tavolinë ndodhej xhaxhai i Fatjon Muratit, vëllai i Fatjon Muratit dhe djali i xhaxhait të tij.

Autorët, për mua, e kanë ditur që Fatjon Murati ka ardhur në Shqipëri ditët e fundit dhe është larguar nga Shqipëria.

Dje kur ka ndodhur atentati, Fatjon Murati ka qenë në avion. Kemi vrasës të rrezikshëm që nuk janë kapur, një skuadër pushkatarësh që nuk kanë frikë. Kur nuk shkon te objektivi cila është arsyeja?", deklaroi ndër të tjera Hoxha.

 

 


Video