Një efektiv policie është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka zbatuar vendimin penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në pranga është vënë nënkomisari Sokol Canameti, 48 vjeç, me detyrë Specialist në Seksionin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Gjithashtu, është ekzekutuar vendimi penal për caktimin e masës së sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” edhe për shtetasit F.K., 51 vjeç dhe E.K., 22 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim,
"Masat e sigurimit personal ndaj shtetasve të sipërcituar u ekzektuan, pasi nga hetimet disa mujore të zhvilluara nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e të dhënave të inteligjencës informative, u administruan prova dhe fakte se punonjësi i policisë S. C., me detyrë Specialist në Seksionin Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kundrejt përfitimit monetar të paligjshëm, ka premtuar lehtësimin e pozitave procedurale penale të një shtetasi, ndaj të cilit zhvillonte hetime për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”." -thuhet në njoftimin e AMP-së.
Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të kundraligjshme.