Policia në Pogradec ka vënë në pranga një 65-vjeçar pas një operacioni të finalizuar vetëm pak momente më parë.
I dyshuari, Xh. Cake, u kap në banesën e tij, ku gjatë kontrollit iu gjet një armë automatike e tipit kallashnikov, municione të ndryshme, si dhe fitila të dyshuar për përdorim në granata dhe tritol.
Forca të shumta janë angazhuar në vendngjarje për të kryer hetimet e nevojshme dhe për të zbardhur rrethanat që çuan në posedimin e këtyre materialeve nga i dyshuari.
Xh. Cake është shoqëruar në komisariatin e Pogradecit, ku pritet të merret në pyetje për të dhënë sqarime lidhur me origjinën dhe qëllimin e mbajtjes së arsenalit të armëve dhe municioneve.
Njoftimi i Policisë:
Kontrolle intensive bazuar në inteligjencën policore për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Pogradec operacioni policor i koduar "Gurrasi".
Gjatë operacionit goditet një rast i armëmbajtjes pa leje
Sekuestrohen armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, kapsolla detonatore e elektrike e fitil zjarr përcjellës
Vihet në pranga poseduesi i tyre.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Xh. C .
Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik, një sasi municioni luftarak, kapsolla detonatore dhe elektrike dhe fitil zjarr përcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. C ., 65 vjeç dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.