AMP nis hetimet për shoferin e prokurorit të SPAK, dyshohet se kërcënoi shefin e Rrugores në Elbasan

18 September 2025, 18:30Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
AMP nis hetimet për shoferin e prokurorit të SPAK, dyshohet se
Foto ilustruese

Një incident ka ndodhur sot në Elbasan, ku sipas asaj që raportohet në media, shoferi i një prokurori të SPAK ka kërcënuar një shefin e qarkullimit rrugor në qytet, teksa ka qenë me makinën zyrtare të punës.

Gardisti Mateo Ademi, 25 vjeç, i cili është shofer i prokurorit të SPAK Alfred Shehu, dyshohet se kërcënoi shefin e qarkullimit në lidhje me një gjobë që i ishte vendosur para disa ditësh kur ai kishte shkuar në Elbasan me makinën e tij private.

Sot, teksa ka qenë me makinën zyrtare të punës, gardisti raportohet se ndaloi para shefit të qarkullimit rrugor Elbasan dhe e kërcënoi.

Në lidhje me këtë ngjarje ka nisur hetimet Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila po heton në gjendje të lirë gardistin. Mateo Ademi është bërë pjesë e Gardës së Republikës dy vite më parë.

"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan - Korçë) ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan në ngarkim të punonjësit të Gardës së Republikës, Inspektor M.A., i dyshuar pë veprën penale “Kanosje për shkak të detyrës”.

Pas kallëzimit të shtetasit B.L., i cili ushtron funksionin Shef Sektori i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Elbasan, u kryen veprimet e para hetimore nga ku rezultoi se punonjësi i Gardës së Republikës për motive të dobëta ka kanosur për shkak të detyrës punonjësin e policisë", njofton AMP.


Video