Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Demokratëve Evropianë (PDE/EDP), të cilët kërkuan shpjegime për mbylljen ose kufizimin e rreth 200 profileve në Instagram të lidhura me aktivistë dhe protestues në Shqipëri.
Demokratët Evropianë kërkuan përgjigje nga qeveria shqiptare, duke theksuar se liria e shprehjes dhe mospajtimi politik janë të drejta themelore demokratike.
Në përgjigjen e tij, Rama ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje të qeverisë në çaktivizimin e llogarive.
“Le të jem absolutisht i qartë: ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me ndonjë llogari të mediave sociale që është çaktivizuar apo kufizuar, dhe as nuk kemi aftësinë teknike për të kryer një operacion të këtij lloji”, shkruan kryeministri.
Rama i ka cilësuar akuzat si “propagandë të turpshme” dhe ka kritikuar ata që, sipas tij, po përpiqen të lidhin qeverinë me mbylljen e profileve në rrjetet sociale.
Ai ka ngritur gjithashtu dyshime se pas kësaj situate mund të qëndrojnë të njëjtat burime që, sipas tij, kanë nxitur më herët të ashtuquajturën “Flamingo Revolution”, duke argumentuar se synimi mund të jetë ringjallja e një proteste që tashmë ka humbur forcën.
Në reagimin e tij, Rama u drejtohet edhe Demokratëve Evropianë, duke i akuzuar se po bëjnë një gjykim politik pa prova.
“Turp për gjithë këtë grup dështakësh që përhapin marrëzira të tilla”, përfundon Rama.
Reagimi i kryeministrit Edi Rama:
Si mund ta quajnë veten demokratë këta agjitatorë, ndërkohë që publikojnë një insinuatë vizuale kaq të turpshme?
Kam jetuar me lojërat e fajësimit dhe të turpërimit nga kundërshtarët e mi për aq kohë sa jam në politikë. Por kur kjo formë e ulët propagande vjen nga njerëz që hiqen si demokratë europianë, është vërtet për të ardhur keq.
Po sikur e gjithë kjo farsë të vijë nga të njëjtat burime dashakeqe që ushqyen të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo”, shumë prej të cilave ushqyen gjithashtu kaosin në Ceuta? Pse? E thjeshtë: për t’i dhënë sërish jetë një “revolucioni” që tashmë është shfryrë. A nuk ka kuptim kjo? Sigurisht që po. Por, me sa duket, jo për këta demokratë vetëm në emër.
Prandaj, më lejoni të jem i qartë: ne nuk kemi të bëjmë aspak me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale dhe as nuk zotërojmë kapacitetin teknik për të kryer një operacion të këtij lloji.
Turp për gjithë këtë tufë dështakësh që përhapin marrëzira të tilla.
How can these agitators call themselves democrats while publishing such a shameless visual insinuation?
— Edi Rama (@ediramaal) September 3, 2026
I have lived with the blame and shame games of my opponents for as long as I have been in politics. But when this low form of propaganda comes from people parading as European… pic.twitter.com/2sXqOLMx8v