A u lirua Cllevio nga burgu? Zbulohet se si qëndron e vërteta

9 June 2022, 17:31Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
A u lirua Cllevio nga burgu? Zbulohet se si qëndron e vërteta
Kleviol Ahmeti

Gjykata e Lushnjës ka caktuar masën e sigurisë "arrest me burg", për reperin Cllevio Serbianon, emri i vërtetë i të cilit është Kleviol Ahmeti. Lajmi është konfirmuar nga avokati i reperit, i kontaktuar nga VoxNews.al.

Lajmet e qarkulluara më herët në mediat se Cllevio la sot qelinë, duke iu referuar deklaratës së Anaid Kalotit, nuk janë të vërteta.

Kleviol Ahmeti u arrestua dy ditë më parë për thyerjen e masës së sigurisë "arrest shtëpie", ku shkoi në lokalin e reperit Noizy për t'u konfliktuar fizikisht me të, por edhe një ditë më pas shkoi në spital.

Cllevio ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, pasi më 19 Mars të vitit 2021 është vënë në pranga nga Policia për shkak se në automjetin që e drejtonte pa leje drejtimi, iu gjetën doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe 3 armë të ftohta (thika).

Gjykata nuk ka pranuar sot lirimin e tij, duke iu referuar kamerave të sigurisë në ambientet e lokalit të Noizyt në Durrës, ku dhe ndodhi përplasja fizike.

Burime bëjnë me dije se Kleviol Ahmeti e ka apeluar masën e sotme "Arrest me burg" dhe në datën 15 të këtij muaji do të dalë para Gjykatës së Apelit në Vlorë.

Cllevio ka qenë i dënuar dhe më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe kanosje.

Pamjet e sherrit të tij me reperin Noizy bën xhiron e rrjetit, pasi ai shkoi te lokali i tij në Durrës, me disa persona të tjerë për tu zënë, por e pësoi keq, pasi u rrah nga reperi dhe shokët e tij. Kleviol Ahmeti njihet si një shok i ngushtë i reperit Stresi dhe ka qenë ish anëtar i grupit TBA të cilët kanë një armiqësi prej vitesh me grupin OTR të Noizyt. Mirëpo, teksa Stresi vendosi të bënte paqe me Noizyn, Cllevio vendosi të mos bënte të njëjtën gjë si shoku i tij dhe shkoi t'i tregonte forcat tek lokali i reperit në qytetin e Durrësit.


Video