Kërkimet e Greqisë për naftë në Jon, Tirana: Nuk është shkelur hapësira jonë detare

17 November 2022, 22:33Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kërkimet e Greqisë për naftë në Jon, Tirana: Nuk
MEPJ

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë ka shpërndarë për mediet një njoftim në lidhje me kërkimet për naftë në detin Jon.

Duke marrë shkas nga informacione të ndryshme që kanë qarkulluar në rrjetet sociale për shkeljen e hapësirës detare shqiptare, ministria e Jashtme, deklaron se nuk është kryer asnjë aktivitet i tillë që ka shkelur sovranitetin apo të drejtat sovrane të Shqipërisë në hapësirat detare.

Në njoftim ministrja e Jashtme thekson se “në bashkëpunim me ministrinë e Jashtme greke është në monitorim të vazhdueshëm të çdo aktiviteti me karakter eksplorues apo të ndonjë natyre tjetër që është duke u kryer në hapësirën detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe jo vetëm, për të parandaluar çdo ndikim negativ që mund të sjellë për interesat e vendit”.

Duke mohuar të gjitha lajmet dhe informacionet që kanë dalë gjatë këtyre ditëve, ministria e Jashtme thekson se institucionet shqiptare janë në lartësinë e detyrës për tu ballafaquar me çdo situatë që mund të prekë sadopak interesat e vendit.

Gjatë dy ditëve të fundit ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari është një prej atyre që ka shkruar vazhdimisht se anije greke të kërkimit për naftë kanë shkelur në pjesën e detit Jon që nuk është delimituar dhe kontestohet nga Shqipëria dhe Greqia. Sipas Meçollarit, me lëvizjet e anijes “Vernicos Sifnos” Greqia ka dhunuar të drejtat sovrane të Shqipërisë në shelfin e saj kontinental.

Reagimi:

Lidhur me informacionin e qarkulluar nga individë përmes rrjeteve sociale ku pretendojnë për cenimin e interesave të shtetit shqiptar nga aktivitete eksploruese apo shfrytëzuese të kryera nga Greqia në Detin Jon, MEPJ bazuar në informacionet e institucioneve përkatëse deklaron se nuk është kryer asnjë aktivitet i tillë që ka shkelur sovranitetin apo të drejtat sovrane të Shqipërisë në hapësirat detare. Autoritetet shqiptare janë dhe do të jenë në monitorim të panderprerë dhe me përgjegjshmëri të plotë të çdo lloj aktiviteti me karakter eksplorues apo të ndonjë natyre tjetër që është duke u kryer në hapësirën detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe jo vetëm, për të parandaluar çdo ndikim negativ që mund të sjellë për interesat e vendit.

Informojmë qytetarët shqiptarë se MEPJ është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet respektive greke për të siguruar dhe shkëmbyer të gjithë informacionin e nevojshëm që siguron transparencën e plotë për cdo lloj aktiviteti eksplorues apo shfrytëzues që kryhet në hapësirat detare mes dy vendeve, bazuar dhe instrumentet ndërkombëtare ku të dy shtetet janë palë. Lajme të tilla të paverifikuara, që krijojnë tymnaja mediatike nuk bëjnë asgjë më shumë veçse efektin e dezinformimit të ngacmimit të ndjeshmërisë që opinionit publik për kinse papërgjegjshmëri të institucioneve shqiptare apo shitje të interesave kombëtare tek shtete të tjera. Në të kundërt, MEPJ siguron se institucionet shqiptare janë në lartësinë e detyrës për tu ballafaquar me çdo situatë që mund të prekë sadopak interesat e vendit.

Meçollari tha se anijet greke kanë rreth 10 ditë që kanë ndërhyrë në ujrat shqiptare. Ai tha se në këto momente anija ndodhet në zonën mes Korfuzit dhe Shqipërisë. Sipas tij anija bën një cikël itenerar të caktuar dhe më pas kthehet sërish. Këto anije, shprehet ai, janë të kontraktuara nga ana e qeverisë greke dhe po kërkojnë për naftë në detin Jon.


Video