Një ditë më parë 35-vjeçarin, Arbër Ferati e zuri korrenti teksa gjendej brenda autokombajnës dhe ishte duke shkuar të punonte në toka.
Sipas të dhënave tensioni i lartë i energjisë elektrike ka prekur automjetin e për pasojë 35-vjeçari ka rënë në kontakt me energjinë elektrike.
Bluzat e bardha thonë se 35-vjeçari ka ndërruar jetë në vend, e megjithatë i riu është transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës për një shans ndërhyrje dhe shpëtimin e jetës së të riut.
Transporti është kryer nga autoambulanca e njësisë Shëndetësore Orikum, ndërsa me mbërritjen në hyrje të urgjencës së Spitalit ambulancës i është bllokuar dera.
Bluza të bardha dhe të afërm kanë tentuar të hapin derën e ambulancës, por nuk ia kanë dalë deri në përdorimin e forcës.
Tentativa për të hapur derën e autoambulancës ka zgjatur për disa minuta dhe kjo ka sjellë irritim tek të afërmit e 35-vjeçarit.
Irritimi i tyre edhe me ndërhyrjen e bluzave të bardha dhe policisë për të qetësuar situatën ka çuar në përdorim të dhunës fizike mes njëri-tjetrit.
Sikurse tregojnë pamjet, disa persona kanë marrë lëndime të lehta, mes tyre një efektiv i policisë dhe të afërm të 35 vjeçarit.
Pas situatës së krijuar policia ka shoqëruar në komisariat një prej familjarëve të Feratit.
35-vjeçari Arbër Ferati është përcjellë sot për në banesën e fundit.