35 deputetë të Partisë Demokratike refuzuan të shkonin në Kuvendin e 30 Prillit, por sipas deputetit Tritan Shehu, përveç Gazment Bardhit, Jorida Tabakut apo Enkelejd Alibeajt, të gjithë të tjerët janë të hapur për të biseduar me Komisionin e Rithemelimit. Shehu shtoi më tej se ata kanë dyshimet e tyre, por nuk kanë refuzuar në mënyrë kategorike.
'Ne nuk jemi për të përjashtuar kënd, përkundrazi duam të afrojmë të gjithë në PD. Ka pasur një numër deputetësh që nuk morën pjesë, por nuk është se kanë refuzuar në mënyrë kategorike. Përjashto disa deputetë si Alibeaj, Bardhi apo Tabaku, deputetët e tjerë janë të hapur për bisedime. Ashtu sikurse u pa një pjese e deputetëve erdhën në Kuvend, por një pjesë nuk erdhi sepse kanë dyshimet e tyre, por ama afrimi dhe bashkimi nuk është se bëhet për një ditë dhe mbyllet me një Kuvend. Ky është një proces në vazhdim që ka filluar në 11 dhjetor dhe do të vazhdojë pa ndërprerje.' - tha Shehu në Ora News.
Vlen të theksohet fakti se, edhe pse Berisha pretendon se e mbështet shumica në bazë, ende nuk e ka shumicën në grupin parlamentar. Emrat që surprizuan më 30 Prill, ishte deputetja Ina Zhupa dhe deputeti Kasëm Mahmutaj, të cilët ishin të pranishëm në Pallatin e Kongreseve.