Një 57-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri sot në Tale të Lezhës. Krimi i rëndë ka ndodhur në oborrin e banesës së tij dhe motivi kryesor dyshohet të jetë gjakmarrja.
Viktima është identifikuar si shtetasi Pjetër Kaza, banues në Tale. Familjarët e gjetën trupin të qëlluar me armë zjarri brenda mjetit të tij që po e parkonte në oborrin e banesës. Policia bëri me dije se trupi është konstatuar nga bashkëshortja e viktimës rrth orës 05:00 të mëngjesit të sotëm, pak momente pasi ai ishte kthyer nga turni i natës, pasi punonte në minierën e Spaçit, në Mirditë.
Autorët dyshohet se i kanë zënë pritë afër banesës dhe e kanë pritur të kthehej, duke e qëlluar. Policia vendore nisi hetimet dhe bëri me dije se dinamika dhe rrethanat mbeten ende të paqarta, teksa ka edhe disa pista hetimi. Por pista kryesore mbetet hakmarrja, pasi një vit më parë mësohet se Kazës i kishin vrarë edhe vëllanë në Belgjikë.
Saga e hakmarrjes mes fisit Kaza dhe Gjini ka nisur tre dekada më parë, më 1994, me vrasjen e shefit të Krimeve të Policisë Ndue Kaza nga vëllezërit Dod dhe Agustin Gjini. Këta të fundit janë ekzekutuar në vitin 1997 nga Martin Kaza, i cili është arrestuar në Londër dhe më pas dënuar, burgim.
Ndërsa vitin e kaluar është ekzekutuar në Belgjikë me katër plumba edhe Agustin Kaza, vëllai i Pjetër Kazës i cili u vra sot.
"Në fshatin Tale, Lezhë, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. K., rreth 57 vjeç, banues në Tale. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur para banesës së tij, në kohën që shtetasi P. K., po kthehej për në banesë me automjetin e tij. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë vendore të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër", bën me dije policia e Lezhës.