
Vetëm pak orë para hapjes së qendrave të votimit, gara për një vend në Senatin amerikan në shtetin e Michiganit është komplikuar për kandidatin demokrat Abdul El-Sayed.
Ish-rivalja e tij në zgjedhjet paraprake, Haley Stevens, ka deklaruar publikisht mbështetjen për kandidatin republikan Mike Rogers, duke shkaktuar një zhvillim të papritur në garën elektorale.
Stevens, e cila u mund nga El-Sayed me një diferencë shumë të ngushtë në zgjedhjet paraprake të gushtit, deri pak ditë më parë kishte deklaruar se do ta votonte kandidatin demokrat, pavarësisht rezervave që kishte ndaj tij.
Megjithatë, marrëdhëniet mes të dyve kanë qenë të tensionuara që prej përfundimit të primareve. Edhe pse ishte parashikuar që Stevens të merrte pjesë në një aktivitet të fushatës së El-Sayed në prag të zgjedhjeve, stafi i këtij të fundit i kishte bërë të ditur se prania e saj nuk do të ishte e mirëpritur.
Pas këtij zhvillimi, Stevens vendosi të merrte pjesë në një shërbesë fetare së bashku me kandidatin republikan Mike Rogers, përpara se të shpallte mbështetjen e saj për të.
“Kandidati ynë demokrat më tha se nuk jam më e mirëpritur në fushatën e tij dhe se duhet të qëndroj larg. Dhe ka të drejtë. Sot, në fakt, shpreh mbështetjen time për Mike Rogers“, deklaroi Stevens.
Reagimi i Donald Trump nuk vonoi. Nga Iowa, presidenti amerikan përshëndeti vendimin e ish-kandidates demokrate, duke thënë se ajo kishte shprehur atë që pak njerëz kanë guximin të thonë. Trump e ftoi gjithashtu Stevens të bashkohej me republikanët.
Në të njëjtën kohë, ai sulmoi ashpër El-Sayed, i cili është mysliman, duke e cilësuar si “xhihadist”. “Mendoni pak, do të na duhet ta kalojmë në detektorin e metaleve“, u shpreh Trump.
Kjo deklaratë riktheu një përplasje të mëparshme mes dy politikanëve. Të enjten, kur Trump kishte bërë të njëjtën batutë, El-Sayed ishte përgjigjur:
“Unë kaloj në detektorin e metaleve nëse ti i nënshtrohesh makinës së të vërtetës. Unë nuk kam asgjë për të fshehur, ndërsa ti ke shumë për të fshehur“.
Një nga çështjet kryesore që ka thelluar përplasjen mes Stevens dhe El-Sayed është qëndrimi i këtij të fundit ndaj Izraelit. Kandidati demokrat nuk e cilëson veten socialist, por mbështet disa prej qëndrimeve të krahut më të majtë të Partisë Demokratike.
Të premten e kaluar, Stevens i kërkoi atij të dënonte një reklamë politike të financuar nga një grup i majtë, ku Izraeli fajësohej për rritjen e çmimeve të ushqimeve në Michigan.
El-Sayed iu përgjigj se, ndërsa ish-rivalja e tij po përpiqej të rihapte përplasjet e zgjedhjeve paraprake, të cilat kishin përfunduar tre muaj më parë, fushata e tij ishte e përqendruar te sfidat që e prisnin.
Zhvillimi i fundit mund të ndikojë në garën për Senatin në Michigan, një shtet me rëndësi strategjike për demokratët, të cilët synojnë të sigurojnë shumicën në dhomën e lartë të Kongresit amerikan.