Hsitorike në Bullgari/ Nga gazetaria në krye të shtetit, Iliana Lotova bëhet presidentja e parë grua!

2 November 2026, 09:48Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Hsitorike në Bullgari/ Nga gazetaria në krye të shtetit, Iliana

Iliana Lotova është gruaja e parë e zgjedhur presidente në historinë e Bullgarisë. Në moshën 62-vjeçare, ajo arriti të fitojë garën presidenciale në balotazhin e zhvilluar më 1 nëntor, duke siguruar 57.58% të votave, kundrejt 39.47% të rivalit të saj, Andrey Gyurov.

Fitorja e saj shënon një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e grave në institucionet më të larta të shtetit bullgar. Megjithatë, Iotova nuk është një emër i ri në politikën e vendit. Ajo kishte marrë drejtimin e presidencës që në janar të këtij viti, pas dorëheqjes së presidentit Rumen Radev, në krah të të cilit kishte shërbyer si zëvendëspresidente për një dekadë.

E lindur më 24 tetor 1964 në Sofje, Iotova e nisi karrierën e saj në gazetari. Pas studimeve për filologji bullgare në Universitetin e Sofjes, ajo punoi në Televizionin Kombëtar Bullgar, ku mbajti disa pozicione, përfshirë atë të reporteres, redaktores dhe drejtores së Drejtorisë së Informacionit.

Hyrja e saj në politikë ndodhi në vitin 1997, kur mori drejtimin e shërbimit të shtypit të Partisë Socialiste Bullgare. Në vitin 2005 u zgjodh deputete në Parlamentin e Bullgarisë, ndërsa dy vite më vonë nisi karrierën në Parlamentin Europian, ku shërbeu për tre mandate, deri në vitin 2017.

Gjatë angazhimit të saj europian, Iotova u përqendrua veçanërisht te çështjet e emigracionit, sigurisë, luftës kundër terrorizmit dhe të drejtave civile.

Një prej elementeve më të diskutuara të profilit të saj politik janë qëndrimet për Rusinë dhe luftën në Ukrainë. Iotova ka mbështetur zgjidhjen diplomatike të konfliktit përmes negociatave mes Moskës dhe Kievit, si dhe ka shprehur qëndrime në favor të përmirësimit të marrëdhënieve me Rusinë.

Ajo ka qenë politikisht pranë ish-presidentit Rumen Radev, i cili gjithashtu ka mbështetur negociatat me Moskën. Qëndrimet e tyre kanë nxitur debate në Bullgari, vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian.

Me fitoren në zgjedhjet e 1 nëntorit, Iotova siguron mandatin e saj presidencial përmes votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve, duke u bërë gruaja e parë që zgjidhet në këtë post në historinë e vendit.


Video