U godit nga policia gjatë protestës, 21-vjeçari ka krisje të shtyllës kurrizore, motra: Do ta ndjekim çështjen deri në fund

17 October 2026, 10:38Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

U godit nga policia gjatë protestës, 21-vjeçari ka krisje

Në një përditësim të gjendjes shëndetësore të të plagosurve në protestën e djeshme, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se dy persona vijojnë të marrin shërbim mjekësor; një kalimtar, në gjendje të stabilizuar, dhe një protestues 21-vjeçar, i cili ka pësuar krisje të shtyllës kurrizore.

I riu po trajtohet dhe monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë. Sipas informacionit të spitalit, për momentin nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.

Kujtojmë që 21-vjeçari u godit një ditë më parë nga Policia para Ministrisë së Arsimit.

Ndërkohë motra e Muhamet Skanës, të riut që u rrëzua në tokë nga një efektiv policie, ka reaguar për gjendjen e tij shëndetësore, duke zbuluar dëmtimet e pësuara.

Përmes një mesazhi, ajo bëri të ditur se mjekët kanë konstatuar frakturë në shtyllën kurrizore dhe dëmtim në kafkë. Ndërkohë, familjarët, mes tyre nëna, babai dhe motrat, po qëndrojnë pranë të riut, ndërsa shpresojnë për përmirësimin e gjendjes së tij. “Nga ana mjekësore është diagnostifkuar një frakturë në shtyllën kurrizore nga goditjet dhe në kafkë nga hedhja me forcë në tokë. Familja po i qëndron pranë dhe do bëjmë çdo gjë për të”, shkruan motra e tij.

Ajo falënderoi të gjithë personat që janë interesuar për gjendjen e Muhametit, duke thënë se në këto momente familja ka nevojë për lutjet e tyre. Në të njëjtën kohë, ajo paralajmëroi se do të ndjekin rrugën ligjore për të kërkuar përgjegjësi për ngjarjen. “Faleminderit të gjithëve por nuk na duhet asnjë më shumë se një lutje për vëllain tim. Pseudo policët që e bënë këtë gjë do dënohen dhe ne do e ndjekim deri në fund çështjen. Faleminderit shumë të gjithëve sërish”, thuhet në mesazhin e saj.

 Mesazhi i motres
Unë jam motra e tij. Fillimisht faleminderit të gjithëve për suportin dhe mesazhet që na keni bërë. Ne jemi me të, unë mami babi dhe motra po i qëndrojmë pranë. Ka të gjithë mbështetjen tonë dhe in shaa Allah do ia dalë. Nga ana mjekësore është diagnostifkuar një frakturë në shtyllën kurrizore nga goditjet dhe në kafkë nga hedhja me forcë në tokë. Familja po i qëndron pranë dhe do bëjmë çdo gjë për të.

 Faleminderit të gjithëve por nuk na duhet asnjë më shumë se një lutje për vëllain tim.

 


Video