Tjetër reagim nga SHBA për protestat në Tiranë/ Senatorja Elissa Slotkin: Qeveria të luftojë korrupsionin dhe të mbrojë protestuesit

21 October 2026, 22:10Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tjetër reagim nga SHBA për protestat në Tiranë/ Senatorja
Elissa Slotkin

Senatorja amerikane Elissa Slotkin ka reaguar për situatën e krijuar në Shqipëri, ku prej ditësh vijojnë protestat kundër qeverisë, duke kërkuar respektimin e të drejtës së qytetarëve për të protestuar paqësisht dhe mbajtjen e zyrtarëve të zgjedhur përgjegjës për veprimet e tyre.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Slotkin bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit ka marrë telefonata të shumta nga qytetarë të Miçiganit, të cilët kanë shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e dhunës në Shqipëri dhe në vende të tjera evropiane.

Slotkin nënvizoi se qeveria shqiptare ka detyrimin të respektojë shtetin e së drejtës, të mbrojë protestuesit nga përdorimi i tepruar i forcës policore, të luftojë korrupsionin dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve.

Në reagimin e saj, ajo u bëri thirrje të dyja palëve të ndërmarrin të gjitha përpjekjet për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore për zgjidhjen e situatës.

“Gjatë ditëve të fundit, kam marrë një sërë thirrjesh të shqetësuara nga banorë të Miçiganit lidhur me dhunën në përshkallëzim në Shqipëri, mes vendeve të tjera evropiane. Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë paqësisht dhe të kërkojë llogari nga zyrtarët e tyre të zgjedhur.

Në mënyrë të ngjashme, qeveria shqiptare ka për detyrë të respektojë sundimin e ligjit, të mbrojë protestuesit kundër përdorimit të tepruar të forcës policore, të pastrojë korrupsionin dhe t’i përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve. I bëj thirrje të dyja palëve të bëjnë çmos për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë paqësore për të ecur përpara”, shkruan senatorja amerikane Elissa Slotkin.

 


Video