Kongresmeni republikan Thomas Massie, nga shteti i Kentakit, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve nenet për shkarkimin (impeachment) të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës së SHBA-ve.
Sipas Massie, Hegseth ka shkelur Kushtetutën duke përfshirë Shtetet e Bashkuara në një luftë kundër Iranit për më shumë se 90 ditë, pa autorizimin e Kongresit.
“Duke e mbajtur vendin në një luftë me Iranin për më shumë se 90 ditë pa autorizimin e Kongresit, Sekretari Hegseth po shkel ligjin dhe duhet të mbajë përgjegjësi”, deklaroi ligjvënësi republikan.
Votimi për këtë nismë pritet të zhvillohet deri të mërkurën, por gjasat që ajo të çojë në shkarkimin e Hegseth janë të pakta, pasi republikanët do të vijojnë të kontrollojnë Kongresin deri në janar.
Megjithatë, Massie thotë se synon të ushtrojë presion ndaj Presidentit Donald Trump që të shkarkojë Hegseth përpara se demokratët të nisin një proces të tyrin për shkarkimin e tij dhe ta kthejnë çështjen në një përballje politike vitin e ardhshëm.
Massie është ndër të paktët republikanë që kanë kritikuar hapur Trump dhe luftën e nisur kundër Iranit.
Nga ana tjetër, Hegseth ka deklaruar më herët se nuk është i shqetësuar për mundësinë e shkarkimit. Ai njoftoi gjithashtu se do të mbajë një konferencë për shtyp mëngjesin e së martës, e para në 180 ditët e fundit, ku do të flasë pikërisht për këtë çështje.
“Nuk kam frikë nga procesi i shkarkimit dhe, nëse do të ishte e nevojshme, do të bëja sërish gjithçka që është bërë lidhur me luftën kundër Iranit“, është shprehur ai.
Hegseth shtoi se është i gatshëm të diskutojë edhe për operacionet ushtarake që ai dhe Presidenti Trump kanë ndërmarrë kundër Teheranit, rebelëve Houthi në Jemen, si dhe për rrëzimin nga pushteti të Nicolás Maduros në venezuelë.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka dalë në mbrojtje të Hegseth. Duke folur në margjinat e takimit të G7-s në Paris, Rubio e cilësoi procedurën si të padrejtë, duke vlerësuar ministrin e Mbrojtjes.
“Procedura ndaj Hegseth është e padrejtë. Ai është një profesionist i shkëlqyer”, deklaroi Rubio.