
Franca ka akuzuar Gardën Revolucionare Islamike të Iranit për sulmet kibernetike ndaj qindra supermarketeve në vend, ku hakerat ndërhynë në sistemet e ftohjes, duke rritur temperaturat e frigoriferëve dhe ngrirësve dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në produktet ushqimore.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, e cilësoi sulmin si të paprecedentë për nga përmasat dhe agresiviteti, duke paralajmëruar se përgjegjësit mund të përballen me sanksione në nivel evropian.
Sipas autoriteteve franceze, sulmi ndodhi më 11 tetor dhe preku më shumë se 100 supermarkete të rrjetit Coopérative U, si dhe 180 dyqane të Intermarché dhe markës Netto.
Në disa prej tyre, temperaturat e frigoriferëve thuhet se arritën deri në 50 gradë Celsius gjatë natës, duke bërë që sasi të mëdha ushqimesh të freskëta dhe të ngrira të prisheshin. Dëmet vlerësohen në miliona euro.
Sulmi shënjestroi një program kompjuterik të kompanisë daneze Danfoss, i cili u mundëson supermarketeve të kontrollojnë nga distanca sistemet e tyre të ftohjes. Edhe rrjete të tjera të mëdha tregtare, përfshirë Carrefour, Monoprix dhe E.Leclerc, u prekën nga incidenti.
Ndërkohë, prokuroria e Parisit ka hapur një hetim ndaj drejtuesit të një njësie sulmuese kibernetike të lidhur me Gardën Revolucionare Islamike, të identifikuar si Shahid Kaveh, si dhe dy zëvendësve të tij.