
“Të gjithë jemi Erjon Vishkulli” është mesazhi që të rinjtë kanë përcjellë përmes bluzave të tyre gjatë protestës së sotme përpara Kryeministrisë në Tiranë, në shenjë solidariteti me 28-vjeçarin që u plagos rëndë në sy nga një plumb gome gjatë demonstratës së një dite më parë.
“Solidarizohemi me Erjon Vishkullin, që u qëllua me plumb gome në sy. Erjoni është dërguar nga familjarët dhe miqtë në Itali për trajtim më të specializuar”, u shprehën protestuesit.
Ata theksuan se plagosja e 28-vjeçarit është një tjetër arsye për të vijuar protestën, ndërsa shprehën shqetësimin për pasojat që mund të sjellë përdorimi i forcës ndaj demonstruesve.
“Erjoni sot është heroi i protestës. Sakrifikoi nga vetja për protestën. Kjo qeveri mund të na marrë edhe jetën, jo vetëm syrin”, deklaruan të rinjtë.
Plagosja e 28-vjeçarit ka shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se ishte angazhuar për mbulimin e shpenzimeve të trajtimit të tij jashtë vendit.
Megjithatë, motra e të riut ka deklaruar publikisht se dërgimi i tij në Itali është mundësuar nga familjarët, miqtë dhe mbështetësit, dhe jo nga shteti. Ajo ka kërkuar gjithashtu që rasti i vëllait të saj të mos përdoret për qëllime politike.
Ndërkohë, protesta studentore vijon përpara Kryeministrisë, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës dhe kundërshtojnë masat e reja ligjore të paralajmëruara nga qeveria për protestat e dhunshme.