Dominoi fushën dhe rrëmbeu Kupën e Botës, por Spanja po dominon tani edhe vëmendjen mediatike për episodin skandaloz të ceremonisë së ndarjes së cmimeve.
Pikërisht në nderimet për triumfin në Botërorin e futbollit për femra, për herë të parë në historinë e saj, Luis Rubiales u bë protagonist në mënyrën e gabuar.
Presidenti i Federatës Spanjolle puthi në buzë futbollisten e kombëtares, Jeny Hermoso gjatë ceremonisë së dorëzimit të medaljeve.
Në momentin kur lojtaret po kalonin me radhë për të marrë medaljet, Luis Rubiales përshëndeti futbollisten Hermoso dhe më pas e puthi në buzë. Pamjet kanë bërë xhiron e internetit, duke shkaktuar polemika të forta.
Hermoso e gjeti veten në mes të stuhisë, e detyruar të komentonte atë që ndodhi me një postim live në rrjetet sociale.
“Nuk është se më pëlqeu, por nuk kisha çfarë t’i bëja”, tha sulmuesja iberike.