Milani ka fituar 0-1 kryendeshjen e javës së 28-të të Serisë A në “Diego Armando Maradona” dhe ka rimarrë kryesimin e renditjes, me 60 pikë, 2 pikë para Interit dhe 3 para Napolit.
Skuadra e Spaletit e nisi më mirë ndeshjen, por pa mundur ta vinte në rrezik serioz portierin Maignan.
Momenti vendimtar i ndeshjes ishte ai i fillimit të pjesës së dytë, kur sulmuesi francez i Milanit devijoi saktë topin, pas një goditjeje të Kalabrias.
Napoli iu afrua shumë barazimit në fund me Ounas dhe Osimhen, por nuk pati fat.
Një fitore shumë e rëndësishme kjo për Milanin, që përveçse i jep kreun e renditjes, zeron edhe llogaritë e ndeshjeve direkt me Napolin.
Nuk ishte një 90-minutësh spektakolar, por shumë i ekuilibruar, një luftë nervash që e fituan kuqezinjtë e Piolit. Milani bëri një lojë shumë të mirë në mbrojtje, ndërsa Leao ishte një shqetësim i vazhdueshëm për kundërshtarin.
Juventusi ka mundur sot Specian e Rei Manajt me një gol të Moratës dhe ka konsoliduar pozitat në zonën Champions, pse jo dhe për titullin kampion. Diferenca prej 7 pikësh me kreun nuk është e paarritshme.
Interi fitoi me goleadë 5-0 të premten ndaj Salernitanës dhe ka një ndeshje më pak, ndërsa Roma e Kumbullës mundi 1-0 Atalantën e Gjimshitit.