Lionel Messi mbetet sërish temë e nxehtë te Barcelona. Kanë kaluar pak më shumë se dy vite që kur argjentinasi shprehu dëshirën për tu larguar nga Blaugranat dhe emri i tij lakohet sërish në ambientin katalanas. Gazeta spanjolle “El Mundo”, ka zbuluar kërkesat e Leo Messit për të rinovuar kontratën e tij në vitin 2020, me Hose Maria Bartomeu në presidencë.
Sipas gazetës, argjentinasi ka kërkuar një bonus prej 10 milionë eurosh vetëm për të nënshkruar. Ai kërkoi gjithashtu një zonë private në stadiumin “Camp Nou” për familjen e tij dhe atë të Luis Suarez, një fluturim vjetor me avion privat për të gjithë familjen në Argjentinë dhe për të rikuperuar me interes uljen e rrogave për shkak të pandemisë.
Ndërkaq, 34-vjeçari kishte kërkuar një tjetër kusht që do i lejonte të largohej nga spanjollët. Për të prishur kontratën, Messi do ishte i lirë për një klauzolë simbolike prej 10 mijë eurosh.
El Mundo pretendon se ka pasur akses në email dhe shkëmbime dokumentesh midis Jorge Messi (babai i Pleshtit), avokatëve të familjes, atyre të klubit dhe ish-presidentit Bartomeu.
Kushtet përcaktohen si “brutale” dhe janë renditur në detaje:
– Kontratë me skadencë më 30 qershor 2023 me mundësi vazhdimi të njëanshme nga lojtari;
– 20% ulje e pagës në 2020/21, rikuperim 10% në 2021/22 dhe 10% të tjera në 2022/23, me interes vjetor 3%;
– Pagesa e shpërblimeve të besnikërisë ende në pritje të arkëtimit me interes;
– Lozha private për familjet Messi dhe Suarez;
– Fluturim privat për në Argjentinë në Krishtlindje për të gjithë familjen Messi;
– Pagesa e shumave të shtyra në sezonin 2020/21 plus interesat në rast të zgjidhjes së kontratës;
– Bonus prej 10 milionë euro për firmën në kontratë;
– Rritja e pagës në rast të rritjes së taksave;
– Ulja e klauzolës së zgjidhjes deri në 10 mijë euro;
– Rinovimi i kontratës së Pepe Costa (bashkëpunëtor i klubit, i cili është bërë thuajse asistent personal i Messit ndër vite);
– Angazhimi i klubit për t’i paguar Rodrigo Messit (vëllai i Pleshtit) të gjitha komisionet që i detyroheshin.
Pjesa tjetër është histori. Marrëveshja nuk u arrit kurrë dhe Messi u largua nga Barcelona kur skadoi kontrata, pas më shumë se 20 vitesh në klubin blaugrana. Lamtumira zyrtare u bë më 8 gusht 2021, në një konferencë për shtyp të shënjuar nga lotët e tij.