Pushimet e Igli Tares mund të përfundojnë më shpejt nga sa kishte menduar ish-kapiteni i Kombëtares kuqezi. Ai u largua nga Lacio pas 18 vitesh karrierë si drejtor sportiv, ku fitoi vlerësimin e gjithë opinionit sportiv italian dhe jo vetëm me punë e bërë.
Për këtë arsye, Fiorentina kërkon që të ketë një bashkëpunim me Taren për të ardhmen. Deri pak ditë më parë dukeshin më shumë zëra, si ato të merkatos së lojtarëve, por duket se interesimi i klubit nga Firence është konkret.
Mediat kryesore në Itali bëjnë me dije se Igli Tare është i pari në listën e presidencës së Fiorentinës, që vlerëson eksperiencën e gjatë të shqiptarit.
Më parë, sidomos kur Tare ka fituar çmime për punën që ka bërë, ishte vënë edhe në shënjestrën e Milanit. Po ashtu, për ish-sulmuesin e Kombëtares shqiptare dhe Lacios ka pasur interesim edhe nga Gjermania dhe Anglia. Tani ai duket vërtet shumë pranë rikthimit në postin e drejtorit sportiv dhe Fiorentina është një emër për t’u marrë në konsideratë.