Trajneri i Kombëtares, Silvinjo foli në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Anglisë.
Tekniku kuqezi e cilësoi si një ndeshje shumë të vështirë, por në të njëjtën kohë edhe të këndshme. Sipas tij koha për përgatitje nuk është e nevojshme, por nuk ka vend për ankesa.
“Kemi pasur probleme të vogla gjatë javës. Sot do të kemi stërvitjen e fundit, për të bërë vlerësimet për lojtarët. Në mbrojtje kemi opsione si Mihaj dhe Ajeti dhe ditën e ndeshjes do të bëjmë vlerësimet e fundit.
Do të jetë një ndeshje e vështirë, por edhe e këndshme. Nuk kemi shumë kohë, por mendoj se kjo kohë duhet të mjaftojë për të përgatitur një ndeshje të tillë. Këto 2-3 ditët e fundit kemi menduar vetëm për Anglinë. Nuk ka mjaftueshëm kohë. Do të donim të bënim një stërvitje të gjatë. Të mos harrojmë se shpesh herë lojtarët vijnë të lodhur. Nuk duhet të ankohemi. Sot do të zhvillojmë stërvitjen e fundit dhe më pas do të vendosim për formacionin.
Në e kemi studiuar Tuchel dhe ekipin anglez. I pëlqen të luajë futboll. Janë 90 minuta për t’u shijuar, por edhe duke e respektuar. Jemi të përqendruar dhe të përgatitur”, deklaroi Silvinjo.
Silvinjo kërkon që lojtarët e Kombëtares të japin gjithçka në fushë ndaj Anglisë.
Në konferencën për shtyp, tekniku kuqezi deklaroi se çdo episod në fushë ka rëndësi.
Ndër të tjera ai tha se ka respekt për Anglinë, për të cilët tha se kohët e fundit nuk kanë pasur performancë të mirë.
“Duhet të punojmë shumë. Duhet të lëmë zemrën në fushë. Çdo metër në fushë ka rëndësi dhe duam të ecim përpara. Kemi lojtarë të mirë dhe me eksperiencë.
E respektoj shumë Anglinë. Më kujtohet ndeshja Brazil-Angli, atmosferë e shkëlqyer. I ka munguar një performancë e mirë në Europian kohët e fundit. Futbolli i tillë është. Ka lojtarë të mirë dhe me perspektivë për të fituar”, deklaroi Silvinjo.
I pyetur për skemën, tekniku kuqezi deklaroi se sistemi nuk ka shumë rëndësi, ndërsa shtoi se Kombëtarja do të tentojë të bëjë diçka të veçantë në sulm.
“Tuchel është trajner i ri, por edhe fitues. Ka energji. Sistemi nuk ka shumë rëndësi. Janë një ekip i fortë, me cilësi fizike dhe teknike. Do tentojmë të bëjmë diçka të veçantë. Do tentojmë të bëjmë diçka të veçantë në sulm. Le ta shijojmë këtë ndeshje.
Kam luajtur në Angli kohë më parë. E kuptojmë ritmin e lartë që ka futbolli anglez. Sa i përket ekipit kombëtar, ka lojtarë shumë të mirë dhe me cilësi. Ne duhet të punojmë me sulmin tonë. Me Anglinë nuk mund të luash portë më portë, sepse ritmi është ndryshe. Jemi përgatitur për ndeshjen nesër”, deklaroi Silvinjo.
Ndeshja Angli-Shqipëri do të luhet të premten në stadiumin “Wembley”, në orën 20:45.