Argjentina i bën nderimin e fundit Messit, çdo ndeshje do të ndalet në minutën e 10-të

3 September 2026, 19:01Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Argjentina i bën nderimin e fundit Messit, çdo ndeshje do të
Lionel Messi

Lamtumira e Lionel Messi-t nga kombëtarja e Argjentinës nuk do të kalojë në heshtje. Federata Argjentinase e Futbollit ka vendosur një mënyrë të veçantë për të nderuar kapitenin legjendar, duke e kthyer çdo ndeshje në vend në një moment homazhi për të.

Të gjitha ndeshjet e futbollit në Argjentinë do të ndalen në minutën e 10-të, për një minutë duartrokitjesh në nder të Messi-t. Zgjedhja nuk është rastësore: numri “10” është bërë sinonim i yllit argjentinas dhe i epokës së tij me “Albiceleste”-n.

Në stadiumet që kanë ekrane gjigante do të shfaqet gjithashtu një video speciale kushtuar karrierës së tij me kombëtaren.

Messi, 39 vjeç, njoftoi më 31 gusht se i ka dhënë fund aventurës së tij me Argjentinën, pas 21 vitesh, 207 ndeshjesh dhe 125 golash. Ai largohet si futbollisti me më shumë paraqitje dhe gola në historinë e kombëtares.

Një histori që nisi me shumë dhimbje dhe kritika, por që përfundoi në mënyrën më të lavdishme të mundshme: Messi e udhëhoqi Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës 2022, si dhe drejt dy titujve të Copa America-s.

Tani, sa herë ora e ndeshjes të mbërrijë te minuta 10, futbolli argjentinas do të ndalet për një çast. Jo për një gol, jo për një rezultat, por për të duartrokitur njeriun që për më shumë se dy dekada e bëri fanellën bardheblu të duket si një pjesë e historisë së futbollit.


Video