
Kryeministri Edi Rama ka theksuar se masat që kufizojnë lirinë mund të kundërshtohen vetëm në gjykatë.
Rama nënvizon se respektimi i pavarësisë së drejtësisë nuk përjashton ngritjen e shqetësimeve parimore për mënyrën se si funksionojnë organet e saj, duke veçuar në mënyrë të posaçme ekspozimin e një institucioni me ndjeshmëri të lartë dhe publikimin e të dhënave të dosjes hetimore në rrjetet sociale.
“Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo qoftë që s’ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo me opinion e krye as në foltoren e Kryeministrit.
Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj.
Në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që nuk mund të anashkalohet sikur s’ka ndodhur.
Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.
Të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre.”