Një njeri u vra në mes të rrugës në Sarandë, pastaj u vra për së dyti në ekran, nëpërmjet pamjeve të vdekjes së tij. Në media dhe rrjetet sociale u publikuan pamjet e trupit të viktimës të mbuluar me çarçaf dhe britmat e dëshpëruara të nënës së tij, pa censurim. Më pas, dolën pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth, dhe videoja qarkulloi me shpejtësi në rrjete sociale, pa censurim përsëri. Pamje të qarta, pa mbulim dhe pa paralajmërim për natyrën shqetësuese të përmbajtjes. Mbi të gjitha, pa ndonjë konsideratë për dinjitetin e viktimës apo familjarëve, le pastaj për ligjin e medias.
Publiku ka të drejtë të informohet për një vrasje, por nuk ka nevojë të shohë vrasjen. Ky dallim duket se po humbet në epokën e medias digjitale, por interesi publik për një ngjarje kriminale nuk e bën çdo material të lidhur me të material me interes publik për t’u publikuar.
Videot e kamerave të sigurisë të bizneseve janë të dhëna personale, dhe material që trajtohet nga organet e hetimit penal, por çuditërisht, nuk merret vesh si këto pamje arrijnë më parë në media dhe rrjete sociale. Mbeten përherë pa emër, si personat që “gjetën” materialin delikat, ashtu edhe personat që publikuan materialet hetimore dhe ia ofruan për konsumim publikut të gjerë.
Personat që kanë akses në këto materiale gjatë procedimeve penale kanë detyrim ligjor të mbrojnë të dhënat e personave të përfshirë dhe fshehtësinë e hetimit, që nuk jepet emër se kush e gjeti dhe e publikoi materialin delikat. Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbron edhe publikimet që tronditin ose shqetësojnë, por kjo mbrojtje ka detyra e përgjegjësi. Në vitin 2012, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut përcakton kriteret për balancimin e lirisë së shprehjes me të drejtën e privatësisë, dhe përcaktoi se pamja konkrete duhet t’i shtojë diçka debatit publik që raportimi verbal nuk e jep dot. Në rastin e viktimës në Sarandë, videoja tregon vetëm momentin e vdekjes, e kjo bën që media shqiptare të bjerë ndesh me kriteret e GJEDNJ.

Mbulimi i videos nuk është zgjedhje redaksie. Për ofruesit e shërbimeve mediatike audiovizive (OSHMA), ligji nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” vendos standard të qartë që OSHMA-të duhet të mos cenojnë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut, dhe kërkon respektimin e të drejtës së privatësisë së individit. Ligji i jep AMA-s kompetencë të vendosë masa për shkeljet e dispozitave të tij dhe këto masa përfshijnë gjobën, pezullimin e përkohshëm, reduktimin ose heqjen e licencës/autorizimit, në varësi të shkeljes.
Në qershor 2025, Kryetarja e AMA-s reagoi pas publikimit të pamjeve të vrasjes së 14-vjeçarit, duke paralajmëruar mediat të mos i transmetonin dhe duke deklaruar se “gara për shikueshmëri nuk duhet të vihet kurrë përpara etikës dhe zbatimit të ligjit që është plotësisht i qartë dhe i rreptë në këtë drejtim. Publikimi i pamjeve të tilla përbëjnë abuzim, me synim shfrytëzimin e ngjarjes nga këndvështrimi sensacional, duke lënë pas anën e saj njerëzore”. AMA i bëri thirrje medias të mos transmetojë pamje të tilla, në emër të interesit më të lartë të fëmijës, respektit ndaj dhimbjes së familjarëve, ndjeshmërisë së mbarë opinionit publik shqiptar dhe detyrimit shoqëror gjithëpërfshirës.
Ky qëndrim nuk është i ri. Në 2023, AMA sanksionoi TV Klan për shkelje të ligjit “Për mediat audiovizive”, sepse gjatë transmetimit të emisionit “Opinion” u transmetuan pamje të rënda, tronditëse dhe me dhunë eksplicite. AMA konstatoi se emisioni shkeli detyrimet për mbrojtjen e audiencës, veçanërisht të miturve, duke mos përdorur teknologji mbulimi (floutim/blur) dhe duke mos vendosur asnjë paralajmërim paraprak për shikuesit në lidhje me videon e vrasjes së një biznesmeni në Shëngjin, të shoqëruara me komentim të bujshëm të gazetarit. Ky vendim është pikë kthese në rregullimin e medias në Shqipëri, që thekson se interesi publik dhe vërtetësia e ngjarjes nuk justifikojnë kurrsesi format e bujshme të prezantimit të materialit traumatik, dhe AMA rezervon të drejtën të sanksionojë mënyrën si u prezantua.
Media sigurisht që duhet të raportojë vrasjen, po çfarë informacioni shtesë për publikun mund të ofrojë transmetimi i imazheve të momentit të vdekjes, që nuk mund ta përcjellë dot një raportim i përgjegjshëm? Duke publikuar pamjet e viktimave, kalojmë nga informimi mbi një ngjarje, te ekspozimi i saj dhe shndërrimi në spektakël nga vetë personat që kanë detyrë t’i respektojnë dinjitetin palëve të përfshira.
Kodi i Etikës së Gazetarit Shqiptar kërkon respektimin e privatësisë dhe dinjitetit dhe përcakton se dhuna dhe brutaliteti nuk duhet të sensacionalizohen. Këshilli Shqiptar i Medias e ka përsëritur këtë standard edhe në reagimin e tij për raportimin e aksidentit tragjik në Durrës ku humbën jetën dy fëmijë që luanin. Interesi publik legjitim nuk justifikon sensacionalizmin dhe nuk duhet ngatërruar kurrë me informacionin që është interesant për publikun, “prandaj nuk ka asnjë arsye për të shfaqur pamje apo video të momentit të vdekjes së dikujt. Përveçse dëmit të madh emocional që i shkaktohet familjes, terrori që shkakton tek shikuesit e lexuesit transmetimi i pamjeve të një vdekjeje brutale është i papranueshëm dhe i patolerueshëm. Shkeljet etike në raportim janë të rënda, dhe për fat të keq, pasoja më afatgjatë e këtyre shkeljeve është humbja e besimit te media”, është shprehur Këshilli Shqiptar i Medias.
Kjo është veçanërisht problematike kur pamjet publikohen jo vetëm nga faqet e mediave, por edhe nga persona me ndikim të madh në rrjetet sociale që shpërndajnë videot. Ligji rregullon veprimtarinë e mediave të licencuara nga AMA, dhe ato rrezikojnë gjoba duke e transmetuar videon pa mbulim, por portalet dhe faqet personale te gazetarëve nuk janë subjekt i masave të AMA, dhe mund të kalojnë pa pasoja ligjore.
Kufiri midis gazetarisë dhe ekonomisë së vëmendjes bëhet gjithnjë e më i hollë, prandaj një video e tillë nuk është vetëm material informativ, po njësi engagement-i me mijëra klikime e komente. Gazetarët me ndikim nuk po pyesin më me çfarë duhet të informojnë publikun, po janë në hall se çfarë do ta bëjë publikun të klikojë, dhe vendimet e gazetarisë tani i merr synimi për vëmendje të shpejtë në rrjete sociale.
Platformat teknologjike si Meta kanë zhvilluar mekanizma për identifikimin dhe trajtimin e përmbajtjes grafike ose shqetësuese. Përdoruesit mund të përballen me paralajmërime për përmbajtje që mund të jetë shqetësuese dhe, në varësi të platformës dhe materialit, të kenë mundësinë të zgjedhin nëse duan ta shohin. Kjo e bën edhe më interesante median tradicionale, se nëse një platformë mund ta identifikojë teknikisht një pamje si shqetësuese dhe ta sinjalizojë, a nuk duhet që redaksia e medias të bëjë më shumë kujdes se algoritmi?
Familjarët nuk mund të humbasin të drejtën për të mbajtur zi në privatësi, sepse dikush tjetër ka publikuar videon. Edhe Gjykata e Evropiane e të Drejtave të Njeriut është shprehur se duhen mbrojtur familjarët, si edhe kujtimi e reputacioni i të afërmit të ndjerë, prandaj duhet bërë e qartë se interesi publik nuk është e njëjta gjë me kureshtjen publike, dhe familja e viktimës është subjekti i parë i cenuar kur i ekspozohet dhimbja.
Media shqiptare akoma nuk e pyet veten pse duhet ta publikojë një material delikat, thjesht e vetëm ka bindjen se pamja do të sjellë më shumë klikime. Me këto që po ndodhin këto ditë, do të ishte mirë të fillojmë të flasim seriozisht për përgjegjësinë e medias dhe personazheve me peshë në ekonominë e vëmendjes, duke patur udhëzime të qarta si duhet të raportohen materialet e ndjeshme të vrasjeve e dhunës, që të aplikohet edhe në rrjete sociale e portale online, të cilat mendoj se duhet të shtrihen edhe në rrjete sociale e portale online.
Kuadri i përshtatjes ligjore me Bashkimin Evropian kërkon protokolle të sakta për mënyrën e heqjes së shpejtë të materialeve, por nuk duhet të harrojmë as domosdoshmërinë e hetimit dhe ndjekjen ligjore e ndëshkimin penal të burimit të pamjeve që dalin nga kamerat, që po na e shesin si informacion atë që publiku i gjerë nuk ka pse ta shohë fare.