"Protestuesit flenë në dysheme" - Avokat i Popullit raport për arrestimet: Kushtet në qeli janë të papranueshme

16 October 2026, 20:33Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

"Protestuesit flenë në dysheme" - Avokat i Popullit raport

Avokati i Popullit ka bërë publik një raport paraprak të këtyre katër ditëve protestë, duke identifikuar disa problematika që i konsideron të papranueshme dhe thotë se nga Policia e Shtetit dhe institucionet e tjera përgjegjëse, kërkohet reagim i menjëhershëm.

"Gjatë këtyre ditëve kemi marrë ankesa për punonjës policie me veshje civile pa shenja identifikuese. Kjo çështje do të shqyrtohet me prioritet. Pjesa tjetër e ankesave lidhej me ushtrimin e dhunës gjatë shoqërimit, mos-ofrim të kujdesit mjekësor dhe kalim të afateve për masën e sigurisë", tha Endri Shabani

Gjithashtu, drejtuesi Endrit Shabani tregoi se në të gjitha komisariatet e inspektuara, ambientet ishin mbi kapacitet.

"Kushtet në Bllokun e Sigurisë janë të papranueshme. Kemi gjetur të arrestuar që flenë dy vetë në një shtrat, ose mbi sfungjerë në dysheme. Mungojnë batanijet dhe ngrohja. Uji i pijshëm sigurohej nga familjarët. Mungojnë sapuni dhe letra higjienike. Shërbimi mjekësor është i pjesshëm përballë kërkesave të shumta", thuhet në raport.

Avokati i Popullit thekson se gjatë inspektimeve, kanë evidentuar të mitur të ndaluar që janë marrë në pyetje pa praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut. Kjo nuk përputhet me kërkesat e ligjit dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.

"Kemi parë persona me shenja të dukshme dhune. Për 26 persona në Bllokun e Sigurisë, pretendimet dhe shenjat janë pasqyruar në procesverbalet e konstatimit. Librat e evidentimit të të shoqëruarve kishin mangësi në regjistrimin e plotë të informacionit", vijon raporti.

Në fjalën e tij, Endrit Shabani kërkoi nga Policia e Shtetit identifikim të plotë të punonjësve në çdo operacion dhe ndarje të të miturve nga të rriturit, në çdo rast dhe gjatë gjithë kohës. Nga Ministria e Brendshme kërkoi përmirësim të menjëhershëm në Bllokun e Sigurisë: ujë, ushqim, shtretër, ngrohje, higjienë dhe mjek në çdo kohë.

Fjala e Avokatit të Popullit

Të nderuar gazetarë, faleminderit që erdhët.

Sot do t'ju japim gjetjet paraprake të monitorimit që Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, pranë Avokatit të Popullit, ka bërë gjatë protestave të këtyre katër ditëve. Dua të theksoj se këto janë gjetje paraprake. Çdo rast po verifikohet një nga një.

Së pari, dua të shpjegoj mandatin e Avokatit të Popullit dhe të Mekanizmit. Mekanizmi ka të drejtën ligjore të vizitojë pa paralajmërim çdo vend ku një person është i privuar nga liria: komisariate, ambiente shoqërimi, paraburgime dhe institucione shëndetësore. Avokati i Popullit shqyrton gjithashtu ankesat për abuzim nga çdo organ publik, përfshirë Policinë e Shtetit.

Ky mandat mbron të drejtat e të gjithëve: protestuesve, qytetarëve që kalonin rastësisht, pronarëve të bizneseve që u dëmtuan, por edhe punonjësve të policisë.

Por Kushtetuta e ka kufizuar këtë mandat në monitorim, në dokumentimin e së vërtetës dhe në nxjerrjen e rekomandimeve. Kushtetuta nuk na mundëson që ne të marrim masa vetë ndaj punonjësve që abuzojnë me detyrën. Për këtë qëllim, ligji ka parashikuar mekanizma të tjerë, të cilët kanë kompetencat dhe burimet e nevojshme.

Në këtë kuadër dua të raportoj se në 72 orët e fundit ekipet tona kanë qenë të pranishme në komisariatet nr. 1 deri nr. 6 në Tiranë, në Bllokun e Sigurisë, në Spitalin e Traumës, si dhe në komisariatet e Korçës, Vlorës dhe Shkodrës.

Në 72 orët e fundit kemi kontaktuar 214 persona të privuar nga liria. Kemi biseduar konfidencialisht me të shoqëruar, të arrestuar, të lënduar, me mjekë dhe psikologë. Në Spitalin e Traumës, më 14 dhe 15 tetor, kanë marrë shërbim 128 persona: 86 punonjës policie, 38 protestues dhe 5 të mitur. Një pjesë e mirë e tyre i kemi intervistuar dhe u kemi administruar ankesat.

E drejta për tubim paqësor është e garantuar nga Kushtetuta. Protestuesit duhet ta ushtrojnë atë paqësisht. Ne dënojmë çdo akt dhune. Dënojmë dhunën ndaj policëve. Dënojmë dhunën ndaj protestuesve. Dënojmë dëmtimin e pronës publike dhe të pronës private, përfshirë bizneset.

Shteti ka detyrimin të mbrojë rendin, dhe policia ka të drejtë dhe detyrim të përdorë forcë kur është e domosdoshme, në masë proporcionale.

Çdo punonjës që ushtron forcë duhet të jetë i identifikueshëm. Identifikimi mbron qytetarin nga abuzimi dhe mbron policin nga akuzat e pabazuara.

Ankesat. Gjatë këtyre ditëve kemi marrë ankesa për punonjës policie me veshje civile pa shenja identifikuese. Kjo çështje do të shqyrtohet me prioritet. Pjesa tjetër e ankesave lidhej me ushtrimin e dhunës gjatë shoqërimit, mosofrim të kujdesit mjekësor dhe kalim të afateve për masën e sigurisë.

Të miturit. Të miturit kanë prioritet në punën tonë. Komisionerët tanë kanë administruar deklarimet e tyre, të dhëna para psikologes klinike në Spitalin e Traumës. Po verifikojmë dëshmi për rreth 12 të mitur që janë mbajtur të izoluar në ambientet e një ministrie. Ky rast po verifikohet, dhe do t'ju raportojmë gjetjet e hetimit tonë.

Çfarë kemi vëzhguar gjatë monitorimit. Në të gjitha komisariatet e inspektuara, ambientet ishin mbi kapacitet. Kushtet në Bllokun e Sigurisë janë të papranueshme. Kemi gjetur të arrestuar që flenë dy vetë në një shtrat, ose mbi sfungjerë në dysheme. Mungojnë batanijet dhe ngrohja. Uji i pijshëm sigurohej nga familjarët. Mungojnë sapuni dhe letra higjienike. Shërbimi mjekësor është i pjesshëm përballë kërkesave të shumta.

Kemi evidentuar të mitur të ndaluar që janë marrë në pyetje pa praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut. Kjo nuk përputhet me kërkesat e ligjit dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.

Kemi parë persona me shenja të dukshme dhune. Për 26 persona në Bllokun e Sigurisë, pretendimet dhe shenjat janë pasqyruar në procesverbalet e konstatimit.

Librat e evidentimit të të shoqëruarve kishin mangësi në regjistrimin e plotë të informacionit.

Për sa më sipër, kërkojmë nga Policia e Shtetit identifikim të plotë të punonjësve në çdo operacion dhe ndarje të të miturve nga të rriturit, në çdo rast dhe gjatë gjithë kohës. Nga Ministria e Brendshme kërkojmë përmirësim të menjëhershëm në Bllokun e Sigurisë: ujë, ushqim, shtretër, ngrohje, higjienë dhe mjek në çdo kohë.

Në mbyllje, dua ta përsëris edhe një herë thirrjen: çdo person që ka pësuar dhunë ose dëm, qytetar, protestues, pronar biznesi apo punonjës policie, mund t'i drejtohet Avokatit të Popullit. MKPT do të vazhdojë monitorimin në terren.

Faleminderit. Jam gati për pyetjet tuaja.


Video