
Katër persona janë arrestuar dhe 7 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së djeshme në Tiranë, ku pati përplasje me policinë, hedhje gurësh e molotovësh dhe djegie të kazanëve të mbeturinave.
Policia ka vendosur edhe 12 masa administrative, mes tyre një gjobë prej 500 mijë lekësh për një protestues të maskuar që goditi me gurë efektivët dhe godinën e Kryeministrisë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit
"Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash; arrestohen 4 shtetas, procedohen penalisht 7 të tjerë.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kanabis, një send metalik shpues, mjete për të hedhur gurë dhe sfera metalike, një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.
Vendosen 12 masa administrative në bazë të Aktit Normativ, njëra prej tyre në vlerën 500 000 lekë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
K. N., 24 vjeç, M. K., 19 vjeç, B. M., 19 vjeç dhe Z. N., 34 vjeç.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 7 shtetas.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit K. N. iu gjetën një sasi lënde narkotike kanabis dhe një send metalik shpues, ndërsa gjatë kontrollit të banesës iu gjetën një send imitues i armës së zjarrit dhe 50 sfera.
Ndërkohë, në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 12 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të djeshëm.
Njëra prej masave administrative, në vlerën 500 000 lekë, është vendosur ndaj një shtetasi, i cili, i maskuar me kapuç, ka kryer veprime të dhunshme, duke goditur me gurë në drejtim të punonjësve të Policisë dhe godinës së Kryeministrisë. Punonjësit e Policisë i kanë bërë disa thirrje për ndërprerjen e veprimeve të dhunshme dhe shpërndarjen e tubimit, por ai nuk i ka respektuar këto thirrje.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme."