Ish-kryeministri Sali Berisha ka vizituar familjen e Pjetër dhe Jason Rushajt, babë e bir që humbën jetën tragjikisht për shkak të përmbytjeve në zonën e Malësisë së Madhe.
Berishaka qenë i shoqëruar nga kryebashkiaku Bardh Spahia dhe deputetët Zef Hila dhe Greta Bardeli, teksa kjo e fundit është shfaqur edhe me lot në sy.
Berisha i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të viktimave, teksa tha se humbja e tyre është një dhimbje e papërshkrueshme për të dashurit e tyre.
"Kujtimin e ka lënë prapa. Njeriu jeton në to. Fizikisht vdes, por lë prapa edhe kujtohet vazhdimisht nga ata që e kanë njohur, e kanë dashur dhe kanë punuar me të. I lutem Zotit që shpirti i tij dhe i djalit të gjejnë paqen, dhe ju forcën për të përballuar këtë dhimbje shumë të madhe. Nuk përshkruhet me fjalë." tha Berisha.