U shkarkua nga Rama, Gjiknuri: S’ndihem i braktisur, jam në komunikim të vazhdueshëm me të

28 July 2023, 11:31Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
U shkarkua nga Rama, Gjiknuri: S’ndihem i braktisur, jam në komunikim
Damian Gjiknuri

Ish-sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri deklaroi se është akuzuar gjithmonë, ndërsa shtoi se jeta e kishte mësuar që t’i bënte ballë të papriturave. Teksa u pyet nga gazetarët nëse ndihej i tradhtuar nga Rama, dhe nëse e kishte lënë atë përballë drejtësisë, Gjiknuri tha se nuk ndihej i braktisur.

“Befasia për disa dhe interesi që shkakton në rrjetet sociale nuk duhet të përbëjë boshtin nga duhet të orientohet koshienca ime. Pas çdo procesi zgjedhor ne i ushtrohemi një procesi analize. Nuk e quaj në ato terma që ju thoni. Për mua fundi i diçkaje është fillimi i një gjëje të re.

Unë jam akuzuar gjithmonë pasi kam mbajtur pozicione kyçe. Nuk është hera e parë që akuzohemi për akuza të karakterit politik. Ka vetëm një drejtësi që i gjykon, dhe jo opinioni publik krijuar nga vatra të ndryshme politike. Personalisht nuk ndjej asnjë lloj braktisje, jam në komunikim të vazhdueshëm me kreun e partisë, është marrëdhënie e qëndrueshme pune. Sa më pozicione të larta te kesh, aq më tepër edhe do sulmohet”, deklaroi Gjiknuri.

Sa kaq ai u pyet edhe nëse është marrë në pyetje nga SPAK lidhur me çështjen e inceneratorëve.

“Hetimi ka vite që ka nisur, nuk më kanë thirrur ndonjëherë, nëse do më thërrasin natyrshëm do të jap shpjegim. Roli i ministrit të energjisë ka qenë periferik…

E them me bindje se ato vepra nuk janë të gabuara. Ato vepra janë në dobi të publikut, të qytetarëve. Sot në Elbasan ka një vepër që prodhon energji.

Vendimet duhen parë në kontekst të gjerë. Nuk ndihem i keqardhur. Jam mësuar të lëviz në pozicione të ndryshme. Më pëlqen që ta shoh veten në pozicione prej 360 gradë”, u shpreh ai.

 


Video