
Në emisionin “Opinion” ish-kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli ka folur për krizën në PD gjithashtu dhe për dorëheqjen e Lulzim Bashës nga kryetari i kësaj partie. Sipas Topallit, Basha po tallet me inteligjencën e shqiptarëve sepse nuk e ka pranuar që ka humbur.
Jozefina Topalli: Nuk hyj në kategorinë e njerëzve që besojnë se bashkimi mekanik mund të sjellë unifikim. Duhet të ketë një analizë të thellë. Duhet të fillojmë të pyesim veten se ku ishim ne gjatë këtyre 10 vitesh, çfarë gabuam dhe pse arritëm në këtë degradim. Kjo forcë politike ka kaluar në degradim. Kjo nuk ka ardhur për një vit, por për një periudhë kur shumica e atyre që rrethonin Bashën, heshtin. Është një moment që secili të bëjë një analizë se çfarë kanë parë, duhet të distancohen nga fenomeni i klientelizimit. Duhet të rikthejmë votën sepse ka pasur një krizë legjitimiteti. Duhet bërë një analizë, për t’u rikthyer tek vlerat.
Unë nuk e quaj një kryetar të dorëhequr, ai është larguar përmes disa proceseve të votimit. Faktikisht unë nuk di një rast tjetër të një politikani që është larguar në atë mënyrë të turpshme. Po të kishte qenë një dorëheqje dinjitoze, secili do të kishte heshtur. Ai vazhdon të tallet me inteligjencën e shqiptarëve, sepse nuk tha që unë kam humbur. Thoshte që kam dhënë dorëheqjen dhe gënjente mediat. Basha ka ende disa kukulla që përpiqen të shesin një proces qesharak përmes disa veprimeve anti statutore.