Një konflikt ka ndodhur gjatë mbledhjes së sotme të PD-së në Kurbin, mes nënkryetarit Kastriot Marku dhe anëtarit Van Rica, ndërsa ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri në koridorin e selisë dhe është larguar.
I ftuar në emisionin "Open", Klevis Balliu ka deklaruar se kjo është një ngjarje e pajustifikueshme, ndërsa e ka quajtur të rëndë edhe vetëm faktin e armëmbajtjes e jo më të qëllimit me armë zjarri. Ai tha se PD do të ndërmarrë vendimet e saj në lidhje me këtë ngjarje.
“Cilado qoftë arsyeja , jo vetëm që është shtirë në ajër por vetëm mbajtja e armës në mbledhje është e rëndë. Do ndërmarrin hapat tona si subjekt. Nuk ka asnjë justifikim sidomos për PD. Asgjë nuk e justifikon, kjo është një çështje parimesh. Në Kurbin ka një mirëkuptim edhe për problemet që ka pasur PD ndaj jam i habitur. Duhet parë si ka ndodhur ngjarja dhe gjendja në të cilën ka qenë personi. Megjithatë është e pajustifikueshme. Për PD këto janë një çështje me të cilat nuk ka shaka”, u shpreh Balliu.