Ka nisur interpelanca në Kuvend, e kërkuar nga deputetët e opozitës, me ministren e shëndetësisë Albana Koçiu, në lidhje me skandalin e zbuluar në spitalin Onkologjik, ku pacientët dërgoheshin për mjekim në klinikat private me qëllim përfitimin.
Ministrja e nisi politikisht fjalën e saj, ku përgëzoi qeverinë, pjesë e të cilës është edhe vetë, për reagimin e shpejtë pas publikimit të rastit.
“Dua të sjell në vëmendje veçanërisht reagimin e kryeministrit, për këtë fenomen. Jam e nderuar që jam pjesë e kësaj qeverie, që merr përsipër përgjegjësitë dhe nuk iu shmanget atyre.
Mendësi kjo që i përket reminishencës së të kaluarës. Në këtë qeverisje faji ka emër, kushdo që provohet fajtor nuk ka më punë me këtë qeveri dhe me familjen tonë politike.
E njëjta gjë vlen dhe për mjekët, që duhet të mbajnë përsipër përgjegjësinë e tyre. Këto nuk do të kishin kuptim pa reformën në drejtësi. Në lidhje me zullumin që doli në dritë në spitalin onkologjik, MSH reagoi menjëherë dhe bëri thirrje për zbardhjen e ngjarjes, organet e drejtësisë të hetojnë me zero tolerancë, për të gjitha ata që kanë abuzuar me misionin e mjekut.
Jeni ju për t'ju qarë hallin, na është dashur shumë punë, që të rikthejmë statusin e mjekut”, u shpreh mes të tjerave Koçiu.