Talat Xhaferi është kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, i cili do të drejtojë qeverinë teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Lidhur me emërimin e tij në këtë detyrë të rëndësishme, ka folur për gazetaren Sidorela Gjoni presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Pendarovski është shprehur se me Talat Xhaferin njihen edhe privatisht që më herët dhe shtoi se ai është i paanshëm dhe korrekt në punën e tij.
“Në këto 20 vitet e shkuara, pasi është nënshkruar marrëveshja e Ohrit, shqiptarët janë të përfaqësuar shumë mirë në të gjithë sistemin maqedonas. Nuk ka asnjë institucion ku ata nuk kanë qasje. Ne kemi shqiptarë në funksione shumë të larta.
Nëse në vitin 2001 kishte 2.4 % tani është në nivelin e 21 %. Kishim president shqiptar, tani kemi kryeministër. Nuk kam dyshim që do të jetë kryeministër nëse do të ketë votat e të gjithëve, të shumicës bëhet fjalë.
Me zotin Xhaferi ne punojmë edhe në mënyra zyrtare, por njihemi edhe privatisht që në vitet e shkuara. Talat Xhaferi ka punuar në mënyrë profesionale, i paanshëm dhe kjo ka qenë një nga arsyet pse LSDM i dha mbështetje për të qenë kryetar i Parlamentit në Maqedoni.
Ju thashë edhe në përgjigjen e parë se zgjedhja ime u bë falë zgjedhjes së shumicës së zgjedhësve. 5 vitet e shkuara kam qenë i njëjtë për të gjithë, pavarësisht se kujt etnie i përket. Sa i përket shqiptarëve më vini në një pozicion jo shumë të rehatshëm, por mund të them se në 5 vitet e shkuara shqiptarët në aktivitetet e mia të përgjegjësisë kanë arritur në pozicionet më të larta. Kemi gjeneralë, anëtarë të Këshillit të Sigurisë, etj.
Nuk e di nëse mendoni për 5 vitet e shkuara, por 20 vitet e tjera pasi kam qenë në pozicione të tjera të vështira. Momenti më i vështirë ka qenë në vitin 2001, por arritëm një marrëveshje shumë të mirë falë negociatave. Kaluam 7 muaj të vështirë dhe arritëm në marrëveshjen e Ohrit.
Në marrëdhëniet si president me të gjithë kolegët unë kam një parim, është legjitimiteti i vendit përkatës se kë zgjedhim. Si me Metën ashtu edhe me Begajn kam një komunikim të shkëlqyer dhe ne kemi bashkëpunuar shumë mirë. Falë këtyre marrëdhënieve janë të shkëlqyera edhe marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha Pendarovski.
I pyetur për vendimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të marrë pjesë me Vetëvendosjen në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, Pendarovski tha se nuk sheh asnjë kundërshti, për sa kohë të gjithë njerëzit që do të angazhohen me këtë parti do të jenë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Nuk ka asnjë problem pasi njerëzit që do të jenë pjesë e procesit, që do të angazhohen, janë njerëz të Maqedonisë, dhe zoti Kurti do të japë mbështetje. Kemi parti të ndryshme që marrin mbështetje nga grupime apo parti të ndryshme. Ato kanë preferencat e tyre që të fitojë një parti apo individ. Por mbështetja që jep Kurti nuk është e kundërshtueshme, e kontestueshme pasi nuk do të marrin pjesë shtetas të Shqipërisë, por shtetas të Republikës së Maqedonisë”, u shpreh ai.
Pendarovski tha në fund të bisedës së tij se shpreson që për herë të parë të vizitojë bregdetin shqiptar për të kaluar pushimet e verës. Ai tha se për këtë ka marrë ftesë nga homologu Bajram Begaj.
“Keni të drejtë, kam marrë pjesë në Adriatik për konferenca, por për fat të keq nuk kam shkuar për pushime, por kolegu im Begaj më ka ftuar ndaj edhe shpresoj që të bëj pushime në bregdetin shqiptar që aq shumë kolegë më flasin”, përfundoi Pendarovski.